Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar ashpër presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për planin e tij për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se Thaçi po shërbehet me një ide të Serbisë për ndarjen e Kosovës.
Kjo ide, sipas saj, në Serbi ekziston që nga koha e akademikut Dobrica Çosiq.
Osmani ka thënë se duhet të vazhdojnë protestat popullore, paqësore, kundër planit të Thaçit, teksa ka porositur që në demonstratën e radhës të dëgjohet himni i Republikës së Kosovës.
Ajo ka alarmuar se nëse Thaçi s’ndalet, “brenda pak muajsh mund të rihapet çështja e statusit të Kosovës”.
Mund të krijohet një konflikt i ngrirë, ka paralajmëruar Osmani në T7. /Express/