Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, idenë për realizimin e një koncerti muzikor tek ura e Ibrit, ia ka treguar edhe shefit të partisë, Behgjet Pacollit.
Ky i fundit ka bërë të ditur se është takuar sot me Bahtirin dhe janë marrë vesh që te Ura e Ibrit të performojë një këngëtare e njohur amerikane.
Gjithashtu sipas Pacollit, kanë vendosur që ura të mbajë emrin e artistes, së cilës nuk ia kanë bërë publik identitetin.
“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me kryetarin e Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, për zhvillimet aktuale në Mitrovicë, ku ai po qeveris në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po realizon shumë projekte madhore. Po ashtu biseduam edhe për çështjen e hapjes të Urës së Ibrit, revitalizimi i së cilës ka përfunduar tashmë, dhe u dakorduam që hapja të bëhet me një ceremoni të veçantë, ku do të performoj edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do të propozojmë që ta mbaj Ura e Ibrit”, ka shkruar ndër të tjera Pacolli në “Facebook”.
Agim Bahtiri, ditë më parë ka thënë se ka planifikuar që në hapje të Urës së Ibrit të zhvillohet një koncert me një artiste e cila nuk ka prejardhje shqiptare.
Ideja e Bahtirit nuk është përkrahur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Ndërsa zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë ka thënë se nuk kanë njohuri për një manifestim të tillë.
Gjatë takimit të sotëm, Pacolli e Bahtiri kanë biseduar edhe procesin e brendshëm zgjedhor që do ta mbajë AKR.
“Gjithashtu me Agimin, që siç e dini është edhe zëvendëspresident i AKR-së, biseduam edhe për procesin e brendshëm zgjedhor që do ta mbaj AKR-ja”, ka shkruar Behgjet Pacolli në profilin e tij në “Facebook”.