Edicioni i 36-të i manifestimit tradicional ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, do të nisë sot duke filluar nga ora 17.00 në qytetin e Vushtrrisë.
Ky manifestimi, i cili që nga ky vit është ngritur në nivel të festivalit dy ditor të poezisë, do të mbahet në Qendrën Rinore të këtij qyteti, ndërsa nga garë për tri çmimet e këtij aktiviteti janë 21 poetesha nga mbarë hapësira shqipfolëse.
Fatmire Cecelia, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Vushtrrisë, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se ky festival ka histori të gjatë dhe ka lënë gjurmë tek qytetarët e komunës së Vushtrrisë, Kosovës dhe shqiptarëve në botë.
“Përmes këtij festivali synojmë të promovojnë femra krijuese, të promovohet vlera artistike dhe të motivohen krijueset e reja për kultivimin e poezisë së bukur shqipe”, ka potencuar drejtoresha Cecelia.
Edicioni i 36 të i festivalit të poezisë, “Takimet e poeteshave shqiptare”, i vetmi i këtij lloj në gjithë hapësirën shqiptare, organizohet nga Komuna e Vushtrrisë.
Ky festival fillet e tij i ka që nga viti 1979.