Në Magjistralen Prishtinë-Mitrovicë po rritet numri i aksidenteve me lëndime dhe atyre me fatalitet. Kjo po ndodhë si pasojë e shpejtësisë së veturave dhe kalimtarëve që po e kalojnë këtë rrugë duke kapërcyer pengesat fizike të vendosura aty, meqë nënkalimet që janë të vendosura nuk plotësojnë kushtet elementare për shfrytëzim.
Banorët e fshatit Stanoc po kërkojnë që të ulët shpejtësia në këtë zonë që është zonë banimi, dhe të rregullohen nënkalimet nga Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë që kjo e fundit ka premtuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë.
Disa ditë më parë një 18 vjeçar humbi jetën në këtë magjistrale, Prishtinë-Mitrovicë, që kalon përmes fshatit Stanoc, pas goditjes që mori nga një veturë. Ai u bë viktima e pestë që vdiq në këtë rrugë si pasojë e aksidenteve, që nga vitit 2014.
Kështu për banorët e kësaj ane, kjo rrugë mban emrin “Rruga e Vdekjes”.Në këtë rrugë që është zonë banimi, nuk ka ndriçim, shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë, dhe nënkalimet e vendosura nuk kanë ndriçim, janë të papastër dhe të mbushur me ujë. Kjo bënë që ato mos të shfrytëzohen nga banorët.
Ata ecin rrugës kryesore dhe kalojnë pengesat fizike që janë të vendosura për t’i ndarë dy shiritat rrugorë, duke rrezikuar kështu jetën e tyre nga veturat që vijnë me një shpejtësi marramendëse.
Vetëm prej vitit 2014, pesë të rinj nga mosha 17 e deri 33 vjeç, kanë humbur jetën pasi u goditën nga veturat këtu. Rrahim Ajeti, i cili vitin e kaluar humbi motrën 33 vjeçare në këtë rrugë, pasi u godit nga një veturë, thotë se që nga pas lufta këtu kanë humbur jetën 10 viktima.
Ajeti i cili kryeson këshillin e fshatit Stanoc i Poshtëm, konsideron se shpejtësia e lejuar për vozitje në këtë zonë, është mbi normalen dhe duhet të ulët urgjentisht, meqë kjo është zonë banimi.
Këtë kërkesë ai e ka shtruar në takim me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, disa ditë më parë, ku u ftuan për të diskutuar për problemin e aksidenteve në këtë zonë.
Ymer Haradinaj, kryetar i këshillit të fshatit Stanoc i Epërm, tregoi se kanë kërkuar edhe që të bëhet ndriçimi dhe të mirëmbahen nënkalimet. Ata kanë kërkuar edhe vendosjen e tre nënkalimeve, që sipas tyre do të përmirësonin pak situatën.
E Ministria e Infrastrukturës ka premtuar që sivjet do të fillojnë me ndriçimin e rrugës, ndërkohë që do të vazhdojë të ndërmarrë masat e tjera të nevojshme për krijimin e sigurisë. Por sipas ekspertit për çështje të komunikacionit, nënkalimet duhet të ndërtohen të shfrytëzueshme për banorët.
Kërkesë e fshatrave të Stanocit është edhe rregullimi i një rrethrrotullimi në këtë vend i cili do të lidhte fshatrat Stanoc i Epërm me fshatin Stanoc i Poshtëm, me fshatin Prelluzhë dhe diku me 10 fshatra.
Nënkalimet në këtë zonë nuk plotësojnë as kushtet elementare për shfrytëzim, kështu banorët po i kalojnë pengesat fizike në rrugën kryesore, ku edhe po përballen me dënime nga Policia e Kosovës, për shkelje të rregullave të komunikacionit. Më 21 tetor të këtij viti, banorët e kësaj ane dhe familjarët e viktimave kanë mbajtur një marsh solidarizues, duke vendosur kurora lulesh në vendet ku viktimat kanë humbur jetën./kp