Skandali që goditi Kosovën me listat e fryra të veteranëve po vazhdon ta mbajë peng vendin.
Më 14 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës, kishe ngritur aktakuzë kundër 12 anëtareve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ngriti aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Lajmi.net kishte siguruar aktakuzën e plotë, mbi 900 faqe, që Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK.
Publikimi i listave ngjalli reagime të shumta, ku shumë persona që thoshin se ishin “veteranë të vërtetë” gjen vetën aty. Mirëpo aty u gjenden edhe persona që nuk ia kishin idenë se janë veteranë.
Mbi këtë cështje reaguan edhe krerët e shtetit, disa e mbrojtën numrin 20 mijë, e disa thanë se është shumë i madh i veteranëve, që nuk në Kosovë nuk ishin gjithë ata ushtarë. Pas krejt kësaj rrëmuje, lënda e rastit ‘veteranët’ dje është kthyer mbrapa.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka kthyer aktakuzën mashtrimet në listat e veteranëve për përmirësim dhe qartësim në Prokurorinë Speciale.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Special ndaj Agim Çekut si kryetar i komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit dhe 11 të akuzuarve të tjerë, është kthyer sërish në duar të Prokurorisë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se lidhur me aktakuzën e ngritur kundër të pandehurve A.Ç, N.L, S.H, SH.D, Q.G, SH.B, A.D, RR.B, F.F, S.E, F.SH dhe XH.J për veprën penale nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPK-së, e pranuar në Gjykatë me datë 14.09.2018, pas vlerësimit të Kryetares së Trupit Gjykues e cila është ngarkuar me lëndën, është vendosur që aktakuza në fjalë ti kthehet në përmirësim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak se e njëjta nuk është përpiluar konfrom nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 të KPP-së, po ashtu janë dhënë dhe arsyeje lidhur me anulimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike. Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas Kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Prokurori Special i Shtetit, Sylë Hoxha në një bisedë për lajmi.net tha se Gjykata e ka kthyer lëndën dhe tash prokuroria do të merret me të.
Hoxha nuk ka dhënë detaje se cilat pika ka kërkuar gjykata të ndryshohen, por tha se rasti nuk do të kthehet në pikën zero.
“Është kthy ka me u punu, me u përgatit edhe ka me u përfundu. Nuk e di prej pikës zero, jo duhet me i shiku disa lëshime që ka kërku Gjykata”, ka thënë Hoxha.