Një kërkesë e drejtuar më parë qeverisë Haradinaj nga Komuna e Vushtrrisë, ka marrë sot dritën e gjelbër duke i kthyer kësaj të fundit një prej pronave të cilat më parë ishin nën juridiksionin Agjensisë Kosovare të Privatizimit dhe të cilat ndodheshin në proces të privatizimit.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë Haradinaj, ku ndër vendimet e shumta që janë marrë është edhe ky vendim për kthim të pronësisë nën komunën e Vushtrrisë të kësaj parcele e cila ndodhet afër ish Hotel Vicianumit në Vushtrri.
“Me propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Komunës së Vushtrrisë për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthim në pronësi të komunës disa nga pronat që aktualisht gjinden në administrimin e Agjencisë Kosovare për Privatizim. Këto prona do të përdoren për realizimin e interesit publik në komunën e Vushtrrisë.” thuhet në njoftimin e lëshuar në faqen e kryeministrit të Republikës së Kosovës.