Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar 11 persona të cilët dyshohet se kanë shitur bileta në mënyrë të paligjshme me rastin e ndeshjes së futbollit Kosova-Malta, e cila u zhvillua në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka konfirmuar rastin për Periskopin, duke thënë se ndaj të dyshuarve janë inicuar rastet për tregti të ndaluar.
Mbrëmë, më 11.10.2018, në rr. ,,Enver Zymberi” Prishtinë, janë zënë në flagrancë 11 persona duke shitur bileta në mënyrë të paligjëshme për lojën futbollistike Kosova-Malta. Policia ka inicuar raste penale ndaj 11 meshkujve, K/Sh. Ata janë shoqëruar në Stacionin Qendra, pas intervistimit, në konsultim me prokurorin inicohen rastet ,, Tregti e ndaluar” dhe mbeten të procedohen në mënyrë të rregullt, thuhet në përgjigjen e Hoxhës për Periskopin.
Në media është raportuar se këtyre personave u janë gjetur në posedim mbi 100 bileta të cilat i kishin për shitje. Çmimi për një biletë në tregun e zi ka arritur deri në 50 euro, ani pse të njëjtat, tregtarët i kishin blerë prej dy deri në dhjetë euro.
Federata e Futbollit e Kosovës i kishte vënë në shitje biletat tri ditë para ndeshjes dhe shitja e tyre ishte bërë në dyqanet e kompanisë IPKO.
Në njoftimin e FFK-së thuhej se një person nuk mund të blejë më shumë se pesë bileta, edhe pse dikush arriti t’i sigurojë mbi 100 copë.
Për shkak të tollovisë së madhe afër pikave shitëse, Policia e Kosovës ishte detyruar t’i mbyllë përkohësisht ato deri në qetësimin e situatës. Madje disa persona kishin marrë edhe lëndime trupore duke u shtyrë në rend për të blerë bileta.
Në tribunat e Stadiumit “Fadil Vokrri” mbrëmë kishte vende të lira dhe krejt kjo si pasojë e biletave të pa shitura në tregun e zi. Qytetarët i kanë bërë apel FFK-së që në lojën tjetër Kosova- Azerbajxhan, e cila luhet me 20 nëntor në Prishtinë, biletat të dalin në shitje online, në të kundërtën do të përsëritet situata.