Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxhaj, ka dhënë një lajm të keq për vizat, duke folur për mundësinë e shtyrjes, edhe pse gjatë muajve të fundit kishte thënë shpesh se vizat hiqen sivjet. Lajmi i keq nga zyrtarja e PDK-së, parti kjo që më së shumti ka bërë premtime për lëvizjen e lirë në Zonën Schengen, vjen në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian kanë hezitime të dukshme rreth këtij procesi. Një fije shprese për kosovarët që Brukseli nuk do të vazhdojë talljen me kosovarët, e ka dhënë presidenti i Austrisë, i cili tha se do të ishte zhgënjyese nëse vendimi për vizat nuk merret deri në fund të vitit.
Ka tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për kosovarët. Kishte mbetur vetëm ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit si kriter i vazhdueshëm që edhe Kosova të fitojë lëvizjen e lirë. Por edhe pse Parlamenti Evropian dha dritën e gjelbër që procesi të shkojë tutje, duket se te vendet e BE-së ka dyshime. Si shtete hezituese përmenden Franca e Holanda. Austriakët, bazuar në deklaratat e presidentit Aleksandër Va nder Bellen, kanë megjithatë disponim pozitiv. Shefi i shtetit austriak ka deklaruar dje se kosovarët kanë udhëtuar pa viza dhe gjatë kohës së Jugosllavisë dhe se do të ishte zhgënjim i madh që të mos kishte një vendim pozitiv gjatë presidencës austriake të BE-së e cila përfundon në fund të këtij viti.
Por, çfarë po ndodh saktësisht rreth vendimit për vizat. Një burim i ka thënë Gazetës Express se ka hezitime që vizat të hyjnë në agjendën e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të njohur si COREPER.
Javën që shkoi Gazeta e ka kontaktuar misioni austriak në Bruksel për të pyetur rreth kësaj çështjeje.
Ambasadori i Austrisë në BE, Nikolaus Marschik, ka thënë se para se të dërgohet për diskutim në Këshillin e Ministrave, çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës do të kalojë nëpër duart e ekspertëve.
“Ne aktualisht çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën jemi duke e diskutuar në nivel të ekspertëve. Diskutimi për këtë çështje më pas do të hapet në nivel të ambasadorëve, por pasi të ketë përfunduar debati në nivel ekspertësh”, ka thënë Marschik për Gazetën Express.
Se a do të dërgohet më pas kjo çështje për diskutim në Këshillin e Ministrave gjithçka varet nga diskutimi në këto dy instanca.
“Varësisht nga përfundimet që nxirren nga këto diskutime, atëherë do të vendosim për ta shtyrë përpara ose jo këtë çështje për diskutim në nivel të ministrave”, ka thënë ambasadori për Gazetën.
Nëse gjithçka shkon mirë në këtë drejtim dhe ambasadorët dakordohen atëherë për liberalizimin do të vendosej në nivel më të lartë gjatë dhjetorit.
Por, institucionet e Kosovës duket se nuk janë optimiste bazuar në kontaktet që kanë me shtetet e BE-së.
Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxhaj, e cila vjen nga radhët e PDK-së, parti kjo që më së shumti ka tallur kosovarët për vizat duke e premtuar lëvizjen e lirë që nga viti 2010, ka folur për një skenar negativ.
“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë”, ka thënë Hoxhaj.
Hezitimet e evropianëve që të mos japin dritën jeshile që kosovarët të udhëtojnë lirshëm në Schengen kanë të bëjnë me frikën nga largimi masiv i kosovarëve në vendet anëtare, pastaj frika nga zgjedhjet në BE të cilat mbahen në muajin maj. Sipas vlerësimeve të shteteve anëtare një vendim pozitiv për Kosovën do të mundë të rriste partitë e së djathtës ekstreme të cilat janë kundër të huajve në vendet e tyre.
Ndërsa në Kosovë ka filluar një përplasje ndërmjet partive politike rreth këtij procesi. Partitë në pushtet