Asamblisti i Kuvendit Komunal të Skenderajt, Malsor Bejta nga Iniciativa Qytetare “41000”, ka akuzuar edhe kryetarin e kësaj komune Bekim Jashari për sulmin ndaj tij brenda Kuvendit Komunal, dhjetë ditë më parë.
Në Interaktiv të KTV-së, Bejta ka thënë se heshtja gjatë fyerjeve dhe në momentin e sulmit ndaj tij e kanë shtyrë të mendojë se Jashari është pjesë e fajit.
Bejta ka shpjeguar në detaje rastin e përplasjes fizike me drejtorin e Kulturës së kësaj komune, Ramiz Shala.
Ai ka thënë se drejtori Shala vazhdimisht e ka provokuar dhe madje ka edhe hapur rast ndaj tij, pasi thotë se ishte kërcënuar në të kaluarën privatisht në Facebook.
Në seancën për buxhet të komunës, Bejta thotë se është ankuar për shtrirje joproporcionale për të gjitha fshatrat e Skenderajt dhe për mospërfshirjen e kioskut elektrik në buxhet. Sipas tij, në seancë vetë drejtori Shala i ka thënë se do ta rrahë me shuplaka dhe ndaj këtyre deklaratave, kryetari Jashari ka qëndruar vetëm duke heshtur.
“Dhamë kritika të shumta dhe ndërhyri drejtori Raiz Shala. Ai gjithmonë provokon e ka natyrë të tillë. Më 1 prill më ka kërcënuar edhe në Facebook privatisht e ka rast të hapur. Gjatë diskutimit për buxhet, më tha disa fjalë banale, dëgjohen edhe në video. Për hir të opinionit s’mund të shprehem e më thotë se të rrah shuplaka e tjera dhe është në prezencë të tjerëve. Reagova dhe i thash kryetarit shihe çfarë drejtorë ke.Përfundoi buxheti, në pauzë duke hipur në lift, kryetarit i thash ‘e pe drejtorin tënd çfarë më tha’. Nëse nuk më kërkon falje publike, nëse nuk e detyron, po e llogariti që po e nxit ti. E për hajgare më tha dua me të rre edhe unë. S’e mora seriozisht. Më pas lëshuam deklaratë që të më kërkojnë falje të paktën formalisht”, ka thënë Bejta.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, sipas Bejtës iniciohet ndalimi i kamerës me të cilën ai transmeton direkt në Facebook seancat komunale.
“Pas reagimit kundër inicimit për ndalim të kamerës, filloi të diskutohet Rregullorja për objektet e përkohshme në Skenderaj. Pasi e mbylli fjalimin Ramizi e shfrytëzon rastin dhe më thotë gjëra banale. Më thotë është mirë ta pastrosh tënde nga droga. Kur përmendet familja unë normalisht që mllefosem. Shihet reagimi ynë duke bërtitur ‘kryetar a je në vete që po e lejon këtë në kuvend’. Ata ulin kokën kinse s’po ndodh gjë. Kryesuesja duhet të marrë masa për çdo gjë. Isha i mllefosur e dola në foltore. I thash Ramiz je injorant sepse nuk din ta dallosh jetën private nga ajo publike. Nëse ma cenon familjen je njeri psikopat. Marrëzia e kësaj është që kryesuesja e toleroi nga mëngjesi deri në ato momente të më fyejë e më pas mua më thotë që mund të dilni jashtë për t’i sqaruar këto gjëra. Pas këtyre heshtjeve, u drejtova se aq të poshtër janë edhe ata që heshtën për të mos e ndalur atë. Është mëkat që opinioni nuk e njeh Ramizin, por Skenderaj e njeh”, ka shpjeguar Bejta duke shtuar se Shala i afrohet, ndërsa gjithçka qetësohet me ndërhyrjen e nënkryetarit Nuredin Lushtaku.
Bejta thotë se teksa ishte duke u ulur nisin reagimet ndaj tij nga asamblistët e kryetarit të komunës. Thotë se në ato momente ka ndërhyrë edhe sigurimi duke e goditur. Pas sulmeve nga sigurimi, Bejta thotë se Shala ka qenë i gatshëm të përdorë edhe armën.
“Bëhen disa zhurma duke tentuar me i ndalë. Këtu ku thonë ‘Ramiz ma’, janë dy tre vetë që mundohen me e ndalë dorën e tij sepse ai ishte me armë. E kam pa një pjesë të pistoletës. Ramiz Shala dhe shumë asamblistë nuk vijnë pa armë në brez”, ka shtuar Bejta.
Sipas Bejtës, në momentin e fundit ka marrë një deklaratë skandaloze nga kryetari Jashari. Ai thotë se fjalët që ia ka thënë Jashari e kanë shtyrë të mendojë se edhe ai është fajtor.
“Shihet Jashari si personi i fundit me të cilin kam kontaktuar duke ikur. Nuk më ka sha asnjëherë, por më mirë do të ishte po të më shante, por më ka thënë diçka më rëndë. Më ka thënë bëje vendin në vrimë të minit. Kjo është skandaloze”, ka deklaruar më tej Bejta.
Bejta ka thënë po ashtu se po të ishte njeri i ish-kryetarit të komunës Sami Lushtaku, “askush s’do të guxonte të më thoshte as që sytë i kam të verdhë”.
Në fund Bejta ka thënë se ka pritur të paktën një shprehje keqardhje nga kryetari Jashari dhe se nuk do të shkojë në komunë nëse gjithçka mbetet njësoj.