Me gjithë përpjekjet e Kosovës për lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës në Bosnje dhe anasjelltas, kjo nuk ka gjetur përkrahje nga autoritetet boshnjake.
Për këtë arsye Kosova është detyruar të vendosë masa të reciprocitetit, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mirëpo, zyrtarë nga komuniteti boshnjak në Kosovë kërkojnë që institucionet e Kosovës të arrijnë marrëveshjen e njëjtë për lëvizje të lirë, ashtu siç kanë arritur me Beogradin.
Numri i kosovarëve që kanë lidhje familjare me Bosnje e Hercegovinën është mjaft i lartë, por mundësia për lëvizje është mjaft e kufizuar, për shkak të mos njohjes nga Bosnja, të Pavarësisë së Kosovës. Këtij kufizimi nuk i ka shpëtuar as ministri i Zhvillimit Rural nga komuniteti boshnjak në Kosovë, Rasim Demiri. Ai tha për Radio Kosovën se ndjen keqardhje se si i është refuzuar viza.
“Edhe unë jam viktimë e këtij procesi, pasi më është refuzuar viza, dy herë kam aplikuar për vizë brenda këtij viti dhe fatkeqësisht herën e fundit kam qenë i refuzuar dhe nuk e kam marr, kam ndier keqardhje që s’kam mundur të marr pjesë në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës, për shkak të vizës” tha Demiri.
Demiri thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të ftohura, madje si kusht për të qenë partner i koalicionit ka qenë që qeveria aktuale të punojë që të përmirësohen marrëdhëniet.
“Ajo që ne kërkojmë është, vetëm të ketë lëvizje të lirë. Do të thotë se gjithçka që është arritur me Beogradin sa i përket lëvizjes, të arrihet edhe me Sarajevën përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë. Megjithatë ,deri më tani nuk ka asgjë, reciprociteti është aktual dhe boshnjakët janë më të dëmtuarit në këtë mes” shtoi Demiri.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se janë në përpjekje për zgjidhjen e kësaj situate absurde mes dy vendeve. Drejtori për komunikim në këtë ministri, Sami Kastrati, tha për Radio Kosovën se ministri Pacolli në vazhdimësi e ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave me BeH, por tash për tash nuk ka rezultate.
“Për fat të keq, ky qëndrim dhe këto përpjekje të Republikës së Kosovës për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të të dyja shteteve, si parim themelor evropian nuk ka marrë mbështetjen e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.
Vendosja e masave të reciprocitetit nga ana e Republikës ka qenë hapi i fundit, për të cilin kemi qenë të detyruar ta ndërmarrim pas mungesës së çfarëdo reagimi dhe konstruktiviteti nga BeH, përkatësisht refuzimit, që te ketë çfarëdo lehtësimi nga ana e entitetit serb të BeH-së”tha Kastrati.
Kastrati thotë se që nga janari deri me tani kanë aplikuar 407 shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës për vizë hyrëse në Kosovë.
“Nga të gjitha këto aplikime, 396 viza janë të aprovuara, ndërsa vetëm 11 janë të refuzuara” shtoi Kastrati.
Sa i përket kërkesës nga ana e përfaqësuesve të shqiptarëve të Bosnjës që pajisja me viza të bëhet në kufi, Kastrati tha se është një numër i vogël i vizave të lëshuara në kufi, për shkak të kërkesës së Komisionit Evropian, që vizat të lëshohen në misione konsullore. Prandaj vitin e kaluar janë lëshuar vetëm 6 viza në kufi. Sidoqoftë misionet konsullore që ofrojnë shërbimin për pajisje me vizë, që më së shumti janë të ngarkuara, janë: Shërbimi Konsullor në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, në Tiranë, Shkup dhe në konsullatën e Përgjithshme në Stamboll. Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se shpejti do të funksionalizohet edhe Shërbimin Konsullor i Ambasadës së Kosovës në Podgoricë./rtklive