Sindikata e Re e KEK-ut përmes një komunikate për media bën të ditur se është një mungesë e madhe e punëtorëve në KEK.
Kjo Sindikatë gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës e vlerëson si shumë të rëndë dhe shqetësuese për arsye se ka mungesë të punëtorëve në të tri divizionet edhe përkundër papunësisë së madhe në vend.
“Një numër i konsiderueshëm i punëmarrësve të KEK-ut kanë shkuar në pension (vetëm gjatë periudhës së vitit 2018-2019 do të pensionohen 387 punëmarrës) dhe një kohë të gjatë nuk kanë pranuar punëtorë të rinj për zëvendësimin e tyre. Sot puna normale në këtë gjigant ekonomik të Kosovës është vështirësuar dukshëm, ku kemi raste që një punëmarrës i mban dy vende të punës, angazhim i punëmarrësve jashtë orarit të punës edhe ditëve të vikendit, një numër i pajisjeve ndihmëse kanë mbetur pa manipulues dhe me këtë kemi vështirësi të mëdha në realizimin e planeve operative”, thotë Rafet Osmani, kryetar i SRKEK-ut.
Më tutje në komunikatë thuhet se vetëm në Divizionin e Prodhimit të qymyrit edhe përkundër reduktimit maksimal të vendeve të punës, në skemën e re organizative të vitit 2016 janë paraparë 3249 vende pune. Sot në DPQ janë të plotësuara vetëm 2700 vende pune – pra janë të pa plotësuara 549 vende pune.
“Në Divizionin e Kosovës ‘B’ sipas skemës së re organizative 2016 janë paraparë 630 vende pune. Sot në këtë Divizion janë të plotësuara përafërsisht 530 vende pune – pra janë të pa plotësuara 100 vende pune. Në Divizionin e Kosovës ‘A’ sipas skemës së re organizative 2016 janë parapa rreth 930 vende pune. Sot në këtë Divizion janë të plotësuara rreth 730 vende pune – pra janë të pa plotësuara 200 vende”, thotë Osmani.
Sipas këtyre shënimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës janë të paplotësuara mbi 800 vende pune.
“Ne duam ta dimë se a është shqetësuese kjo gjendje në KEK për BD të KEK-ut, MZHE dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë gjigant ekonomik të vendit apo heshturazi po shkojnë drejt privatizimit edhe kësaj pasurie të vlefshme që ka Kosova. Pra, në të ardhmen e afërt nëse nuk plotësohen këto vende të lira në KEK me punëtorë të rinj do të vjenë deri te ndërpreja e gjenerimit të energjisë elektrike nga termocentralet e vendit. Mirëpo, ne ju bëjmë me dije se nëse nuk së shpejti hapje të konkurseve për pranimin e punëtorëve të rinj neve na imponohet edhe të organizojmë protesta dhe greva për realizimin e kësaj kërkese”, thuhet në komunikatë./Llapi.info