Dëshmorët e kombit Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha do të rivarrosen sot në ditën e inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë.
Procesi i zhvarrimit të dëshmorëve ka filluar më 19 qershor dhe ka përfunduar më 31 korrik të këtij viti, ku në fazën e parë janë zhvarrosur nga varrezat e Polacit 112 mbetje mortore të dëshmorëve dhe prej tyre 101 janë rivarrosur në Marinë, ndërsa në Vushtrri janë rivarrosur dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, pesë në Shtime dhe një në Ferizaj.
Në fazën e dytë janë zhvarrosur trupat e 53 dëshmorëve nga fshatrat e Drenasit dhe Skenderajt dhe janë rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë.
Këshilli Organizativ për Zhvarrimin dhe Rivarrimin e Dëshmorëve të Ish-Zonës Operative të Drenicës ishte themeluar me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj më datë 8 maj 2018.
Në përbërjen e Këshillit janë komunat Skenderaj dhe Drenas, Zyra e kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti Kombëtar i Mjekësisë Ligjore, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në kompleksin memorial të Marinës sot do të jenë të pranishëm edhe tre krerët institucional të vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.