Gjykata Themelore Mitrovicë, dega në Vushtrri, në seancën e së hënës, e ka hedhur poshtë padinë e paditëses, Marije Qunaj, për shkak të jo kompetencës lëndore.
Qunaj, kishte punuar inspektore për mbrojtje nga zjarri, në njësinë e zjarrfikësve të Komunës së Vushtrrisë.
Ajo kishte kërkuar nga komuna përmes avokatit, Valdet Kadriu, që me rastin e pensionimit t’i paguhet shpërblimi jubilar dhe dy paga përcjellëse të pensionimit.
Kërkesën e paditëses Qunaj, e ka kundërshtuar përfaqësuesi i Komunës së Vushtrrisë, Ismet Gashi, duke thënë se paditësja e ka pasur statusin e shërbyeses civile.
“Paditësja e ka pas statusin e shërbyesit civil këtë e dëshmon edhe në bazë të provave që i ka bashkëngjitë, dëshmohet edhe me listën e pagave për paditësen në pagën e fundit i figuron shtesa si shërbyes civil”, ka thënë Gashi.
Në këto rrethana, gjykata me aktvendim ka hedhur poshtë padinë e paditëses Qunaj, duke deklaruar se për shërbyesit civil kompetencë ka Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.
“Gjykata nga provat e dorëzuara nga përfaqësuesi i të paditurës konstaton se paditësja në pozitën, inspektore për mbrojtjen nga zjarri në Njësinë e Zjarrfikësve në Vushtrri, hynë në kategorinë e shërbyesve civil, prandaj gjykata merr aktvendim për hedhjen poshtë të padisë për shkak të jo kompetencës gjyqësore për trajtimin dhe vendosjen e kësaj çështje”, ka thënë gjykatësi i rastit, Besnik Feka.
Gjykatësi Feka, ka thënë se do të hartojë aktvendim të posaçëm me arsyetim për këtë çështje.
Paditësja Marije Qunaj, më 23 shkurt 2018, kishte ngritur padi kundër Komunës së Vushtrrisë, për shkak të mos pagesës së shpërblimit jubilar dhe dy pagave përcjellëse të pensionimit.
Qunaj, kishte kërkuar nga Gjykata që në emër të shpërblimit jubilar dhe pagave përcjellëse të pensionimit, ta obligojë komunën që asaj t`i paguajë shumën prej 2.787.40 euro.