Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në konferencën e Grupit punues panevropian të Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentit Evropian theksoi rëndësinë e procesit integrues për vendet e Evropës juglindore duke vënë në fokus, të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, rastin e Kosovës.
Hoxha theksoi se procesi integrues është prioritet nacional dhe çështje e konsensusit të gjerë institucional e politik, me përkushtim të fuqishëm në realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Reformat e Agjendës Evropiane si dhe reformat tjera, të parapara me strategjitë e përbashkëta.
“Në këtë fazë, ne jemi duke zhvilluar takime me vendet e veçanta të Bashkimit Evropian, duke diskutuar çështjet e lidhura me liberalizimin e vizave”, theksoi Hoxha, në veçanti me vendet që kanë qasje hezituese ndaj këtij procesi duke dhënë argumente rreth përmbushjes së kritereve të parapara me udhërrëfyes.
Ajo tha se migrimi si çështje elektorale e ngritur në disa vende të BE-së, nuk ka të bëj me qytetarët e Kosovës.
“Dihet se Kosova nuk gjendet as në 30 vendet me numër të emigrantëve, andaj, kjo çështje do parë si çështje elektorale e vendeve të BE-së, në procese e fushata zgjedhore”, tha Hoxha.
Ministrja e Integrimit theksoi që vendimmarrja për liberalizim të ndodh gjatë presidencës austriake të kryesimit të BE-së, të njihen të arriturat e Kosovës, si dhe ndikimet në proceset e gjithëmbarshme në rajon, aq më parë kur Kosova është vendi i vetëm pa lëvizje të lirë në vendet e Shengenit.
“Ne kemi përmbushur të gjitha kushtet e parapara me udhërrëfyesin e vizave. Kemi filluar me fushatën njoftuese për qytetarët rreth këtij procesi, të bindur fuqishëm se rruga integruese është rruga jonë e vetme, pa alternativë. Vendimmarrja pozitive në këtë proces do të jetë lajm i pritur nga të gjithë ne”, tha ajo.
Ndërsa David McAllister, kryetar i Komisionit AFET të Parlamentit Evropian theksoi se procesi integrues për shtetet e Evropës juglindore, është sfidë të cilën duhet ta fitojnë këto vende, me përkrahjen e Bashkimit Evropian.