Vizorja e gjatë e cila është e veçantë për arsimtarët e matematikës, si duket po gjen edhe përdorim tjetër dhe atë jo fort të këndshëm! Ditë më parë bëri bujë në media një video e publikuar një rrjete sociale, teksa një profesor rrihte një nxënës në oborrin e shkollës “Ibrahim Rugova, ku gjenden paralele të ndara të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë, gjimnaz së cilit i përkiste edhe profesori në fjalë.
Por po del që ky nuk është rasti i vetëm pasi që dhuna ndaj nxënësve po ndodh edhe në shkolla tjera në Kosovë. Kështu arsimtarët vizoret për tabela po i përdorin për t’i rrahur nxënësit kur ata janë të padisiplinuar. Të paktën këtë e ka treguar një nxënëse e klasës së shtatë. “Arsimtarja e matematikës me vizore i rreh do djem të halit”, ka thënë nxënësja e një shkolle fillore dhe të mesme të ulët të Prishtinës (e njohur për redaksinë).
Megjithatë ngritja dorë ndaj nxënësve është e papranueshme për psikologun shkollor Labinot Dervishaj. “Dhuna si dukuri nga kush do që ushtrohet ka efekte negative por në rast se ajo ushtrohet nga ne mësimdhënës ajo do të jetë shumë e rendë për atë nxënës që është viktimë. Të nxënësi në fjalë të lë gjurmë të këqija dhe negative”, sqaroi ai. Por, dënimet dhe nganjëherë edhe “ndonjë shuplakë” ndaj nxënësve nuk është që nuk gjenë aprovim nga prindërit.
Prindi F. C nga Korrotica e Epërme – Drenas tha se ndonjëherë edhe duhet të aplikohet një gjë e tillë në ato raste kur nxënësit nuk binden dhe nuk kanë respekt ndaj mësimdhënësve. Sa i përket kësaj ai la fajtor prindërit të cilët sipas tij në shtëpi nuk flasin mirë për mësimdhënësit dhe i cilësojnë ata si të pa ditur. “E tani ku mundet ta respektojë fëmija mësuesin e tij kur babën e dëgjon duke folur keq për të”, tha ndër tjerash ai.
Por këtë formë nuk e shohin si alterantivë të gjithë mësimdhënësit, Enver Aliu arsimtar , i cili jep lëndën “Edukatë Qytetare” në shkollën e mesme të ulët “Luigj Gurakuqi”, Sankoc- Drenas tha për rtv21.tv se dhuna e mësimdhënësve ndaj nxënësve nuk arsyetohet në asnjë mënyrë. Kurse sa i përket mos-disiplinës së nxënësve në klasë ai i la fajtor mësimdhënësit.
“Fajtor kryesor në mos disiplinën e nxënësve është mësuesi i cili nuk krijon kushte për punë brenda orës mësimore, punon vetëm me nxënësit që janë të shkëlqyer, ju ndan mirënjohje vetëm disa nxënësve, kurse ata që janë më të dobët lihen më anash dhe për pasojë ata në orë të mësimit duhet të bëjnë diçka ose të mësojnë ose të bëjnë zhurmë”, tha Aliu.
Në anën tjetër mësuesja e klasës së tretë në shkollën fillore “Mihal Gramero” në Fushë Kosovë, Floreta Gashi Bajçinca renditi disa faktor për mosdisiplinën e nxënësve në shkolla. “Në radhë të parë kisha me cekë sistemin arsimor i bazuar në sistemet evropiane me standartet e vendit tonë – numri i madh i nxënësve nëpër klasa dhe gjithë-përfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta pa asistent ndihmës nëpër shkollat tona – mos përfshirja e nxënësve në përcaktimin e rregullave të klasës dhe shkollës – bashkëpunimi jo i mirëfilltë me prindërit – përgatitja jo e mirë me aktivitetet e duhura duke ja përshtatur strukturës se klasës nga ana e mësimdhënësit për zhvillimin e mësimit se nëse për nxënësit do bëhej ora atraktive besoj që nuk ka vend për sjellje që prishin rendin dhe disiplinën e klasës”, deklaroi.
Çfarë dënimesh duhet të aplikojnë mësimdhënësit ndaj nxënësve të padisiplinuar? Mirëpo ajo nuk e arsyeton në asnjë formë dhunën ndaj nxënësve, Gashi Bajçinca tregoi se për t’i disiplinuar nxënësit ka përdorur ndëshkime dhe ka bashkëpunuar me prindërit.
“Si dënim mundem me cekë ndoshta mos arritja e marrjes se yllit të klasës gjatë javës muajit dhe vitit, por gjithmonë duke e pasur parasysh gjendjen emocionale të fëmijëve…”, tha ajo. Pro dënimeve u shpreh edhe psikologu Labinot Dervishaj, sipas tij mësimdhënësi në formë të dënimeve duhet që nxënësin ta vendosë në fillim pra në ulëset e para. “T’i jep detyra të caktuara akademike brenda orës në mënyre që ta shpërqendroj nga sjellja destruktive që është duke e bërë ai apo ajo”, rekomandoi ai. Sa i përket anës psikologjike Dervishaj u shpreh se çdo formë e veçimit nga të tjerët është e vrazhdë.
“Mësimdhënësi duhet të krijojë një klimë pozitive dhe gjithëpërfshirëse gjatë orës mësimore. Raporti nxënës mësimdhënës duhet të jetë një formë e afërt e komunikimit në aspektin mësimdhënie – mësimnxënie me komunikim të butë dhe në gjuhë mirëkuptuese. Fundja një mësues duhet të rrezatojë njësoj për të gjithë”, përfundoi psikologu Dervishaj.
Ndryshe bazuar në të dhënat nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2017 janë paraqitur 166 raste të lëndimit të lehtë trupor në shkolla si dhe 27 raste të lëndimit të rëndë. Ndërkaq policia nuk ka bërë specifikimin se nga kush është shkaktuar dhunua nga mësimdhënësit, nxënësit apo ka ardhur nga jashtë. Në tabelë janë të dhëna të gjitha rastet e paraqitura në polici të cilat kanë ndodhur në shkolla apo në afërsi të tyre.