Që para një viti 3 familjet Burrniku të Kovaçecit, në komunën e Kaçanikut i kanë lënë shtëpitë e tyre, pasi prona e tyre është vlerësuar për shpronësim.
Në këtë pjesë, do të bëhet një trase që do të lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi”.
Banorët thonë se qe një vit, kompania “Bechtel Enka”, ua ka paguar atyre qiranë, por më 17 shtator ua ka ndalë edhe atë, raporton KTV.
Për pasojë, 20 anëtarët e familjes Burrniku janë rikthyer në shtëpitë e tyre, pasi nuk kanë mundësi ta paguajnë qiranë, meqë ende nuk i kanë marrë as paratë e shpronësimit.
Ata ankohen se nuk kanë as rrymë dhe për shkak të punimeve të “Bechtel Enkas”, edhe shtëpitë e tyre janë dëmtuar.
Meqë janë rikthyer, ata ia kanë ndërprerë punën në këtë pjesë edhe kompanisë “Bechtel Enka”.
Këtu kanë marrë pjesë edhe banorët e tjerë.
Të kontaktuar, zyrtarë të kompanisë “Bechtel Enka” kanë thënë se banorëve u kanë ofruar t’ua paguajnë qiranë dhe për disa muaj në mënyrë që projekti të mos ndaloje, por banorët nuk e kanë pranuar atë dhe e kanë pezulluar punën deri në shpronësimin e plotë.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet se ende janë duke i vlerësuar pronat për shpronësim.
“Pas përfundimit të vlerësimit, do të miratohet ‘Vendimi përfundimtar”, me të cilin përfundon procedura e shpronësimit dhe fillon procedura e kompensimit.
“Andaj, sipas kësaj që parasheh Ligji i Shpronësimit, Departamenti për Shpronësim, pas miratimit të Vendimit Përfundimtar, do të sigurojë strehimin e përkohshëm për periudhën 4-mujore konform nenit 20, sipas kushteve të parapara në nenin 11, paragrafi 9 i Ligjit për shpronësim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Banorët kanë thënë se janë të vendosur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të bëhet pagesa për shpronësimin.