Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka quajtur të pamundur aktualisht bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Haliti ka thënë se i pamundur është edhe bashkimi i disa komunave të veriut të Kosovës me Serbinë, pasi që Kosova ka një kushtetutë në të cilën janë betuar deputetët e cila e thotë qartë se Kosova nuk ka pretendime ndaj asnjë shteti tjetër.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, deklarimet e liderëve të shtetit nëpër studio televizive, ka theksuar se janë tullumbace të cilat kanë ushtimë të madhe, por veprimet janë hiç.
“Presidenti nuk është ai që e shet Kosovën, dëshira e tij mund të jetë e mirë, por mundësitë janë të tjera”, deklaroi Haliti.
Sa i përket kërkesës që Kuvendi të miratoi një rezolutë që Lugina t’i bashkohet Kosovës, Haliti tha se ajo edhe nëse do të miratohej nuk do të kishte asnjë efekt.
“Është e palogjikshme që të votohet diçka që është e parealizueshme aktualisht”, theksoi Haliti, në RTK.
Debatin dhe kërkesat për miratim rezolutash për bisedimet, Haliti i ka quajtur debate për të krijuar momentum për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por ai theksoi se është kundër kësaj kërkese, sepse vendi nuk fiton asgjë.
Nënkryetari i Kuvendit ka folur edhe për debatin që kishte me kryeministrin ditën kur Kuvendi votoj në parim projektligjet për ushtrinë.
“Nuk ka pasur përplasje, unë kam zbatuar mandatin tim dhe kryeministri e ka kuptuar këtë drejt, nuk ka asnjë prishje raportesh me kryeministrin”, deklaroi Haliti.
Ai tha se me Haradinajn kanë raporte për qejfi dhe askush nuk mund t’i prish raportet e tyre.