Puna prej së cilës e sigurojnë bukën, për pak sa nuk ua mori jetën. Katër punëtorët e kompanisë së ndërtimit “Nderimi” në Ferizaj, ranë nga objekti ku ishin duke punuar, në një lartësi prej tetë metrash. Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se ata kanë rënë në hapësirën që ishte e dedikuar për ashensor. Në kompaninë ku ata janë të punësuar kanë deklaruar se të gjithë ishin me kontrata pune, e në momentin e rrëzimit ishin me pajisje mbrojtëse.
Ishin nisur sikurse çdo mëngjes tjetër për në punë. Por, ende pa përfunduar orarin, katër punëtorët e kompanisë së ndërtimit “Nderimi”, në Ferizaj, mbrëmjen e së shtunës u shtruan nëpër spitalet e vendit.
N.Q, B.H, A.O dhe A.Z ranë nga objekti ku po punonin në një lartësi prej 8 metrash. Për pasojë morën lëndime të rënda trupore. E gjithë ngjarja ndodhi në vend punishten e kompanisë, derisa thuhet se ata kanë rënë në hapësirën që ishte e dedikuar për lift.
Kështu ka deklaruar për Gazetën Express Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se punëtorët kanë rënë nga lartësia në hapësirën e liftit, gjersa tregon se rasti ka ndodhur në vend punishten e kompanisë N.N. ”Nderimi”, në Ferizaj.
“Me datë 15.08.2018 ka ndodhur një aksident në vendin e punës, me këtë rast janë lënduar katër punëtorë, në vend punishte të kompanisë N.N. “NDERIMI” në rr. ”Rexhep Bislimi”, në Ferizaj”, ka thënë Ibrahimi.
Por, ende nuk e di se çfarë lëndimesh kanë marrë. Thotë se për këtë duhet të pritet raporti i mjekut.
“Punëtorët e lënduar janë: N.Q, B.H, A.O dhe A.Z. Punëtorët kanë rënë nga lartësia në hapësirën e liftit. Se çfarë lëndimesh kanë marrë, duhet të pritet raporti i mjekut”, ka thënë Kryeinspektori Ibrahimi”, ka thënë ai.
Gazeta Express ka tentuar gjatë tërë ditës që të kontaktojë me Basri Lenjanin nga Emergjenca për të marrë informacione rreth gjendjes së pacientëve, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Ndërkohë, se punëtorët kanë rënë nga kjo lartësi dhe se rasti ka ndodhur në vendpunishten e kësaj kompanie, këtë e pranojnë vetë zyrtarë të kompanisë.
Një prej zyrtarëve të kompanisë “Nderimi”, i ka thënë Gazetës Express se aktualisht gjendja e punëtorëve është shumë e mirë. Deklarojnë se që të gjithë janë me kontrata të punës, dhe në momentin e rrëzimit ishin me mjete mbrojtëse.
“Po, punëtorët kanë qenë nga kompania jonë. Tash janë shumë mirë. Kanë qenë më kontrata pune, dhe kanë pas pajisje mbrojtëse. Njëri prej tyre ka qenë vëllai im, por tash gjendja e tyre është e mire”, kanë thënë nga kjo kompani për Express.
Rastin për Express e ka konfirmuar Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt.
“Janë ra punëtorët në Ferizaj prej lartësisë 7-8 metra. Dy janë ndalur për mjekim në Ferizaj, dy tjerët janë dërguar në QKUK. Policia po heton rastin në vendin e ngjarjes ka dalë edhe inspektorati i punës”, ka thënë Gashi.
E në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës thonë se rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në punë po injorohen dhe se nuk po bëhet asgjë për të përmirësuar këtë gjendje.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, i ka thënë Gazetës Express se deri tani nuk kanë detaje rreth këtij rasti, pasi që siç deklaron punëtorët nuk po kanë guxim të tregojnë se çfarë ka ndodhur me kolegët e tyre, pasi që po kërcënohen se do të mbesin pa punë.
Thotë se ndonëse këto raste po janë shumë të shpeshta, Ministria e Punës nuk po bën asgjë që ta përmirësojë gjendjen. Shton se reagimet po zgjasin vetëm një ditë, dhe se këto raste po lihen në heshtje.
“Punëtorët e kompanive private po kërcenohen se nëse tregojnë ndonjë detajë për aksidentet që po ndodhin në vendet e punës se do të largohen nga puna. Për këtë çështje, askush nuk po bën asgjë.
Edhe kur po ndodh ndonjë lëndim apo vdekje në vendin e punës, reagimet po zgjasin vetëm atë ditë, si nga liderët ashtu edhe nga Ministria përgjegjëse. As Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk po ndërmerr asnjë veprim lidhur me këtë çështje”, ka thënë Azemi për Express.
Por, ndryshe shprehen në Inspektoratin e Punës. Ata po thonë se për çdo vit po marrin masa shtesë për ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Shtojnë se përpos fushatave të ndryshme vetëdijësuese, Inspektorati i Punës zhvillon edhe fushata inspektuese specifikisht në këtë sektor.
“Në vitin 2017 gjatë fushatës inspektuese në sektorin e ndërtimtarisë IP ka realizuar 1147 inspektime nga të cilat 245 punëtorë që kanë punuar në mënyrë informale janë formalizuar.
Për të gjeturat ku janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore janë shqiptuar 344 vërejtje me shkrim dhe 30 gjoba. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe të vitit 2017 në vendin e punës në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 7 të punësuar”, thuhet në raportin e Inspektoriatit të Punës për këtë vit.
Ndryshe, në Kosovë vetëm në 6 vitet e fundit, 61 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, e qindra të tjerë kanë pësuar lëndime./GazetaExpress