Po sa të hysh në Prishtinë nga zona Veternikut, në objektin e parë që mund të hasesh është pompa e derivateve të naftës “Iliriani”, e cila është në pronësi të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Edhe pse shteti ndër vite pati aksione të shumta për të vënë rregull në këtë lëmi, kjo pompë asnjëherë s’u prek dhe nga viti 2015 shet derivate ilegalisht. Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se kompania “Ilirian” nuk ka pasur dhe ende nuk ka licencë për shitjen e derivateve të naftës.
Për vite me radhë, kohë pas kohe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zhvilluar aksione për të vënë rregull në tregun e derivateve të naftës në Kosovë, me ç’rast edhe ka mbyllur disa sosh për mungesë të licencës për të shitur derivate.
Por, edhe pse shteti ndër vite pati aksione të shumta për të vënë rregull në këtë lëmi, kjo pompë në hyrje të Prishtinës të cilën nënkryetari Selim Pacolli e mori me qira nga AKP-ja që nga viti 2015, asnjëherë s’u prek dhe vazhdon të shes derivate ilegalisht.
Pompa në pronësi të Pacollit është pa licencë
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se kompania “Iliriani” nuk ka pasur dhe ende nuk ka licencë për shitjen e derivateve të naftës. Operimin pa licencë e kanë pranuar edhe vetë zyrtarët e kompanisë në fjalë.
Përfaqësuesi juridik i kompanisë “Ilirian”, Skender Kunushevci thotë se pa fajin e tyre, problem për licencim është bërë çështja e pronësisë së tokës në të cilën gjendet pompa, respektivisht moslëshimi i një certifikate nga Agjencia e Kosovës për Privatizim (AKP).
“Para rreth dy muajve kemi aplikuar në MTI për licencim, por nuk kemi marr licencë, ani pse kemi të gjithë dokumentacion. Arsyeja është se ne këtë pikë të karburanteve e kemi marrë me qira nga AKP-ja dhe ky institucion duhet të na sigurojë certifikatën e pronës, të cilën po e kërkon ministria, por ata nuk po na lëshojnë këtë certifikatë. Kjo pasi, ajo parcelë e tokës është kontest pronësor në mes të Komunës së Prishtinës dhe AKP-së. Pra, ajo pronë figuron në regjistrin e Komunës së Prishtinës, dhe tash ky kontesti në mes Komunës e AKP-së na ka lënë pezull edhe ne”, është arsyetuar Kunushevci në një prononcim për FaktePlus.
Megjithëkëtë, kjo pompë është marrë me qira nga AKP-ja që disa vite.
“Është e vërtetë se pompa funksion që disa vite, mirëpo MTI nuk e pranon dokumentacionin pa atë certifikatë”, shtoi tutje Kunushevci.
Kurse zyrtarët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka përgjegjësi ligjore për të vënë rregull në tregun e derivateve të naftës në Kosovë dhe të lëshojë licenca për këtë punë, kanë refuzuar të përgjigjen lidhur me këtë çështje.
AKP sqarohet rreth certifikatës së pronësisë
Edhe zyrtarët nga Agjencia Kosovare e Pricvatizmit (AKP) kanë dhënë versionin e tyre rreth certifikatës që e ka kërkuar qiramarrësi i pompës së derivateve të naftës.
“Qiramarrësi “ILLYRIAN POWER” ka kërkuar të pajiset me certifikatë pronësore për tokën ku ndodhet pika e karburantit, të cilën e shfrytëzon me qira, megjithatë Drejtoria për Kadastër në Komunën e Prishtinës nuk na e ka lëshuar certifikatën, sepse nuk është azhurnuar regjistri i palujtshmërive dhe toka ende nuk evidentohet në emër të Ndërmarrjes Jugopetrol”, tha për FaktePlus kryesuesi i Njësisë për Media e Marrëdhënie me Publik në AKP, Veton Hajdini.
Sipas tij, kjo mund të vërtetohet edhe në zyrën kadastrale të Komunës së Prishtinës dhe se lidhur me këtë është njoftuar edhe MTI.
Përkundër interesimit të redaksisë për të marrë një përgjigje, në Komunën e Prishtinës nuk kanë dashur të deklarohen rreth këtij rasti.
Pacolli në biznes me të dyshuarin për korrupsion
Deri vonë, Selim Pacolli dhe Rrahim Hashimi kanë qenë bashkëpronar të kompanisë “Illyrian Poëer”, e cila përveç tjerash merret edhe me tregtimin e naftës. Por, tash në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, figuron se pronarë janë Lirije Hashimi (bashkëshortja e Rrahimit) dhe Selim Pacolli.
Në muajin maj të vitit 2017, Rrahim Hashimi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal. Më pas ai ishte liruar për t’u mbrojtur në liri.
Para pak ditëve Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të akuzuarin Rrahim Hashimi, i njohur në publik si sekseri.
Kush menaxhoi më parë me pompën dhe kur e mori Pacolli
Me pompën në hyrje të Prishtinës dhe dhjetëra të tilla që nga paslufta ka menaxhuar “Kosova Petrol”, kurse pronare legjitime e është “INA Trgovina” nga Kroacia.
Lirimin e tyre nga shfrytëzuesit e mëhershëm e bëri AKP-ja, duke i dhënë mandej me qira përmes një ankandi publik.
Selim Pacolli me kompaninë “Ilirian Power” kishte arritur ta marr në shfrytëzim këtë pikë të derivateve në hyrje të Prishtinës nga data 25 qershor të vitit 2015.
Kontrata mbi qiramarrje e lidhur mes “Ilirian Power” SH.P.K. Prishtinë dhe AKP-së (në emër dhe për llogari të NSH “Jugopetrol”) është vazhduar sërish me datën 1 qershor të këtij viti dhe përfundon me 31 maj 2020./FaktePlus