Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka publikuar sot një video përshëndetëse për t’i dhënë lamtumirën ambasadorit në largim Greg Delawie.
Në këtë video shihet ambasadori Delawie duke ecur në një fundjavë në natyrë në qytetin e Prizrenit.
Në video thuhet se teksa po ecte, ambasadori e kuptoi që shishja me ujë që kishte me vete i ishte harxhuar dhe në ngjitje e sipër kishte vërejtur një ulëse, ku ishte ndalur për të pushuar dhe për të pirë çaj, ku pastaj edhe e kishte zënë gjumi.
Pas kthimit në zyrë, Delawie e gjen zyrën të mbuluar me tituj gazetash që shënonin muajin shtator të vitit 2028, në të cilët flitej se Kosova dhe ShBA ishin pjesë e finales së Kupës Botërore, Kosova kryesonte në rajon me shumicën e grave në parlament, si dhe shënohej numër rekord i pjesëmarrësve në festivalin e paqes në Mitrovicë.
“Këto janë tituj të gazetave të vitit 2028, kam qenë në gjumë për dhjetë vite, duhet të shkoj për drekë në qeveri”, thotë Delawie.
Pas takimit me stafin e tij, ai thotë se ishte duke shkuar në Qeveri për t’i përgëzuar për gjithë ato lajme të mira, mandej u drejtohet me fjalët “Kush është kryeministri i Kosovës tani?”.
Pas një pushimi për kafen e preferuar të tij makiato, ambasadori ua sqaron se si kishte fjetur dhe ishte zgjuar pas dhjetë vitesh.
Mirëpo, përgjigjja që Delawie merr nga stafi i tij është se këta tituj ishin të punuar nga ta në shenjë falënderimi për punën e tij përgjatë viteve në Kosovë dhe se shpresojnë se këta tituj gazetash do t’i lexojmë pas dhjetë viteve.
Më pas ambasadori amerikan në Kosovë u drejtohet qytetarëve të Kosovës duke u thënë se titujt e gazetave në këtë video pasqyrojnë dëshirën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Ai porosit që duhet punuar për të realizuar ëndrrat dhe se ShBA do të vazhdojë mbështetjen.
“Kjo video tregon disa nga kryetitujt që unë dhe kolegët e mi në ambasadë ëndërrojmë që t’i shohim në lajme në Kosovë në dhjetë vite. Shpresoj se ju pëlqeu tregimi ynë por ju lutem punoni në pika serioze. Të pasurit një të ardhme më të mirë fillon duke e paramenduar atë të ardhme dhe pastaj duke gjetur një mënyrë për ta lidhur ëndrrën tuaj me realitetin. Kjo mund të mos jetë e lehtë por është shpërblyese dhe varet nga ju që ta udhëhiqni rrugën. Partnerët tuaj në ambasadën e ShBA-së do të vazhdojnë t’ju mbështesin, por ju jeni përgjegjës për ardhmërinë tuaj dhe të bërit realitet ëndrrat tuaja. Faleminderit dhe lamtumirë.”, deklaroi Delawie.
Në fund të kësaj video njëra nga punëtoret e pyet ambasadorin se përse e pëlqen kaq shumë makiaton dhe ai thotë se përgjigjja është kompleksiteti.
“Në fillim ka një shpërthim aromash të freskëta rinore, të ndjekur nga një prekje e hidhur, por çdo gllënjkë përfundon me një ndjenjë të fortë shprese”, përfundon ai./kallxo.com/