Në njëmbëdhjetë shkolla në Kosovë sot nuk do të fillojë mësimi për shkak të vonesave në përfundimin e renovimeve, ndërsa deri më 6 shtator pritet të përfundojë procesi i shpërndarjes së librave falas.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë një konference për media ku ka bërë të ditur se të gjitha përgatitje për vitin shkollor 2018-2019 kanë përfunduar, derisa theksoi se deri tani në 15 komuna janë shpërndarë librat.
“Sivjet është bërë një përgatitje e kënaqshme pavarësisht që kemi pasur disa pengesa në fillim e vitit të ri shkollor në të gjitha shkollat. Nga informatat që kemi, diku rreth 11 shkolla sot nuk do fillojnë mësimin për shkak të disa vonesave që kanë ndodhur në përfundimin e punëve në renovimin e shkollave. Po ashtu në këtë vit është bërë shpërndarja e librave falas për të gjitha nivelet, pra nga niveli 1 deri në nivelin 9. Deri më tani në shumicën e komunave janë shpërndarë tekstet shkollore – pritet që deri më datën 6 të përfundojmë shpërndarjen në të gjitha shkollat”, shtoi Bytyqi.
Gjatë kësaj konference ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se presin që nga viti i ardhshëm nxënësit në arsimin parauniversitar të nisin mësimin me botime të reja shkollore. /Telegrafi/