Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dënuar ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit të Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu.
Në një komunikatë për media thuhet se mbrojtja e pavarësisë dhe autoritetit të prokurorit është obligim kushtetues dhe ligjor, andaj aktet e tilla janë të patolerueshme dhe paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejta në misionin e Prokurorit të Shtetit.
Deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka ka kërcënuar Prokurorin Special, Afrim Shefkiu duke thënë se do ta ndjekë atë me gjyq, kanun e privatisht.
Zeka ka akuzuar prokurorin Shefiku se i njëjti sipas tij ua ka shkatërruar ëndrrat e njerëzve.
“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.
Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës qëndron pranë prokurorëve, duke i mbështetur ata fuqishëm në ushtrimin e mandateve të tyre.
Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron të gjithë se këto kërcënime janë duke u trajtuar seriozisht dhe në nivelin e urgjencës, të cilën e meritojnë./Express/