Veç për tre muaj në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, qindra kosovarë kanë trokitur për të kërkuar ndihmë financiare për të gjetur shërim për sëmundjet nga të cilat lëngojnë.
Vetëm në tre muajt e fundit për shërim jashtë vendit kanë shkuar 303 kosovarë. Shumica nga ta në Turqi. Por institucionet kosovare të cilat merren me shëndetin e pacientëve për asnjërin prej këtyre rasteve nuk mbajnë evidenca rreth trajtimit që atyre iu bëhet në institucionet jashtë Kosovës.
Madje nga MSH nuk e dinë as se sa është numri i pacientëve kosovarë të cilët kanë shkuar për shërim në spitalet e huaja e që atje e kanë gjetur vdekjen. Deklarojnë se nuk posedojnë evidenca të tilla.
Qëndrimi, Valdeti, Endri e Delfina vetëm gjashtë vjeçe, janë vetëm disa nga të rinjtë kosovarë të cilët gjetën vdekjen në spitalet e Turqisë. Shumica nga këta të rinj vuanin nga sëmundjet malinje, shërimin e të cilave nuk mund ta kryenin në Kosovë, andaj morën rrugën drejtë spitaleve jashtë vendit. Por në vend të shërimit, atje këta pacientë gjetën vdekjen.
Qëndrim Aliu, vetëm 20 vjeçar nga Vushtrria është pacienti i fundit kosovar, i cili nuk mundi që ta përballojë sëmundjen. Ai gjatë prillit të këtij viti ishte diagnostikuar me një lloj të rrallë të kancerit në fytyrë për shërimin e të cilit vetëm një muaj pas udhëtoi për në Turqi. Atij me ndihmën e qytetarëve për një kohë shumë të shkurtër iu grumbulluan rreth 200 mijë euro.
Por, fatkeqësisht, Qëndrimi vetëm pas tre muajve e humbi betejën me këtë sëmundje. Ai vdiq më 12 shtator të këtij viti në njërin nga spitalet turke. Qëndrimi do të varroset sot në varrezat e Vushtrrisë.
Fatin e njëjtë si të këtij të riu e patën edhe shumë kosovarë të tjerë të cilët në mungesë të trajtimit të duhur për sëmundjet e tyre në Kosovë ia mësynë vendeve të huaja. Por, as atje nuk mundën ta luftonin sëmundjen.
Në korrik të këtij viti ka vdekur edhe 6-vjeçarja, Delfina Shala nga Fushë Kosova. Ajo ndërroi jetë gjatë trajtimit në një spital në Turqi, e për këtë prindërit po fajësojnë mjekët për trajtim jo të duhur mjekësor. Për shërimin e saj duheshin 16 mijë euro të cilat u siguruan përmes ndihmave nga qytetarët.
Prindi i vajzës, Lavdim Shala në një bisedë për T7, kishte thënë se me arritjen e familjes në spital, çdo shpresë që kishin ndryshoi. Përveç që patën probleme të mëdha për t’u kuptuar me mjekët, ata nënshkruan edhe një dokument të cilin po ashtu thonë se nuk e kishin kuptuar.
Pas katër ndërhyrjeve në bosht, Delfina iu nënshtrua edhe një operacioni në kokë, që qe fatal për të. Pas operacionit, vajza qëndroi disa ditë pa vetëdije, për të ndërruar jetë më 11 korrik në spitalin ‘Asya’ në Turqi. Lavdimi fajëson spitalin se nuk i kishte shpjeguar për operacionin, si dhe e kishte shtyrë në një operacion për të cilin ajo nuk kishte nevojë. Kjo familje ka deklaruar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore karshi kësaj çështjeje.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna rreth numrit të pacientëve kosovarë të cilët vdesin në spitalet e huaja
Por nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk kanë asnjë të dhënë rreth numrit të pacientëve kosovarë të cilët vdesin në spitalet e huaja. Ndonëse shumica nga ta, në këto spitale shkojnë me ndihmën e parave të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë të destinuar për shërimet jashtë Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se nuk posedojnë të dhëna për këto raste.
“Sa i përket numrin të pacientëve të cilët eventualisht kanë mundur të ndërrojnë jetë gjatë trajtimit të tyre jashtë vendit, Programi për Trajtime Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, nuk posedon informata të tilla. Programi për TMJIShP mban të gjitha evidencat tjera, sa i përket aplikimeve, aprovimeve, llojeve të sëmundjeve, moshën etj”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.
Tutje nga ky institucion shëndetësor, deklarojnë se në tre muajt e fundit, në programin për trajtime jashtë vendit, kanë aplikuar 303 e qytetarë të Kosovës.
Për këto aplikime, përmes programit për TMJIShP, janë aprovuar gjithsejtë 2.3 milionë euro.
“Të gjithë ata për të cilët është dhënë fletëzotimi janë dërguar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Me dërgimin e tyre për trajtim jashtë vendit, kompletohet e gjithë përgjegjësia dhe procesi e institucionit për qytetarët tanë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, përgjatë gjithë vitit 2017 afro 2 mijë kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. Shumica nga ta për sëmundjet e zemrës, oftalmologji, pediatri si dhe ortopedi.
Por, pavarësisht kësaj, gjendja në shëndetësinë kosovarë vazhdon të jetë e dobët. Pacientët për çdo ditë ballafaqohen me trajtim të vështirë, mungesë të ilaçeve, qoftë edhe atyre të listës esenciale. Trajtimi edhe më i vështirë bëhet kur këta pacientë detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit e u duhet që të presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë