Nipi i heroit Hamëz Jashari njëherësh edhe i biri i kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharit sot feston datëlindjen e 16-të, shkruan “Zëri.info”.
Hamza i ri sot është bërë një 16- vjeçar ndërsa edhe pse i ri në moshë ai është parë duke protestuar javën e kaluar në Skenderaj së bashku me shumë qytetarë të tjerë anë e mbanë Drenicës duke kundërshtuar kështu hyrjen e presidentit të Serbisë në territorin e Drenicës.
Me rastin e datëlindjes së tij babai i tij, Bekim Jashari përmes një postimi në profilin zyrtar në “Facebook”, ka thënë fjalët më të mëdha për të birin.
Ky është postimi i Bekim Jasharit:
Urime ditëlindjen biri im!
Ti nuk trashëgove vetëm emrin e gjyshit, por po rritesh çdo ditë duke forcuar edhe virtytet e tij. Ashtu sikur baba Hamzë që dikur kur protestonte e luftonte kundër pushtuesit, një javë më parë dhe te nipi i tij, Hamza i ri protestoi së bashku me popullin e Drenicës për të mos lejuar Vuçiqin të kaloj nëpër Drenicë, pa kërkuar falje për vuajtjet që shteti i tij i ka shkaktuar në Kosovë.
Edhe pse ende nuk kishe mbushur 16 vite, një javë më parë i’u bashkove qytetarëve të Drenicës në protestë kundër një vizite të padëshiruar të presidentit serb, vizitë e cila preku dhimbjet dhe plagët tona të luftës.
Të nderuar miq, sot në ditëlindjen e 16-të të Hamzës së ri dhe një javë pas protestës në Drenicë, them se ata që kanë dhënë leje për Vuçiqin, pa e respektuar vullnetin e qytetarëve të Drenicës kanë gabuar rëndë.
Qytetarët e Drenicës më kanë zgjedhur mua për kryetar dhe unë do të jem me ta çdo herë, nuk do të pranojë as injorimin dhe nënshtrimin e qytetarëve të Drenicës dhe as të institucionit që unë e udhëheqi.
Unë si kryetar i komunës së Skenderajt, nuk kam pasur asnjë njoftim nga institucionet tona për vizitën e Vuçiqit në fshatin Banjë, që është pjesë e Komunës së Skenderajt.
Injorimi i komunës së Skenderajt, nga ata që i japën leje, është injorim dhe mohim i gjakut të derdhur për Liri.
Prandaj qytetarët e Drenicës, veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, familjarë të zhdukurve dhe qytetarë të shumtë bllokuan rrugët dhe nuk lejuan Vuçiqin të hyjë në Drenicë, pa kërkuar falje në emër të shtetit që përfaqëson, shtet ky i cili ka shkaktuar shumë vuajtje në Kosovë.
Falënderoj të gjithë ata qytetarë, që një javë më parë në mënyrë të qetë dhe dinjitoze protestuan të dielën e kaluar dhe nuk lejuan hyrjen në Drenicë të ish-ministrit të informacionit të Millosheviqit, tani president i Serbisë, pa kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin, që shteti tij e ka kryer në Kosovë.
Njëjt do të duhej të vepronin edhe institucionet qendrore dhe nuk do të duhej të ndodhte lejimi i hyrjes në Kosovë të asnjë zyrtari të shtetit të Serbisë pa kërkim falje, që është hapi i parë në rrugën e paqes që synojmë.
Nga institucionet e Kosovës pres mbështetje dhe përkrahje për zhvillimin e Drenicës, dhe maturi kur bëhet fjalë për çështje që prekun plagët e luftës. /ZERI