Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj është shprehur i indinjuar pas arrestimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se arrestimi i deputetëve për deklaratat e tyre në studio televizive është i padrejtë dhe i turpshëm, përcjell Telegrafi.
Sipas deputetit të koalicionit qeverisës “deputeti kudo në botë, në shtetet demokratike respektohet dhe gëzon imunitet, ndërsa tek ne arrestohet e lirohet me teke të dikujt!”.
Në fund Dreshaj ka paralajmëruar se nëve situata e tillë vazhdon, shumë shpejt ai do të dorëzon mandatin e deputetit.
Postimi i plotë
Arrestimi i deputetëve kosovarë për deklaratat e tyre në studio televizive është i padrejt dhe i turpshëm.
Prokuroria e Kosovës ka mjaft punë për të bërë, ka mjaft kriminelë që sillen në rrugët e Kosovës të lirë e kapadai.
Nuk është e lehtë ta mbyllësh një deputet të zgjedhur nga vota e popullit, veç pse ai ka shprehur mllefin e tij në studio televizive ndaj situatave të turpshme të krijuara kohëve të fundit.
Deputeti kudo në botë, në shtetet demokratike respektohet dhe gëzon imunitet, ndërsa tek ne arrestohet e lirohet me teke të dikujt!
Nëse kjo situatë vazhdon, publikisht e them se unë shumë shpejt do të dorëzoj mandatin e deputetit./Telegrafi/