Grupi i Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor nga Këshilli i Bashkimit Europian, do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, për t’u njoftuar me progresin e institucioneve kosovare, sidomos tash në prag të përfundimit të procesit të liberalizimit.
Ministrja e Integrimeve Europiane ka treguar për Gazetën Express qëllimin e vizitës së tyre, hapat e mëtejmë dhe çka do t’u servohet atyre në mënyrë që të njihen me zhvillimet në vend
Pas votimit në Parlamentin Europian, që ndodhi dy javë më parë dhe coi më tutje liberalizimin e vizave për kosovarët, tani me këtë temë do të merret edhe një Grup punës nga Brukseli.
Këto grupe, që merren me zhvillim të përgjithshëm politik dhe ekonomik, për së largu por tash edhe për së afërmi do të njoftohen me progresin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.
Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha ka thënë për Gazetën Express se Grupi (COEEB) për t’u informuar sa më drejtpërdrejtë për këto dy ditë qëndrimi, do të njoftohen për reformat dhe progresin e institucioneve, në të gjitha fushat.
“Qëllimi i vizitës është informativ, në mënyrë që grupi të informohet për zhvillimet në vend në përgjithësi dhe punën e institucioneve tona, në të gjitha fushat. Do të thotë, nuk ka ndonjë kërkesë specifike për institucionet tona, por vizita është më shumë e karakterit informativ për zhvillimet në vend”, ka thënë Hoxha.
Ajo tha se vizita e tyre është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet procesi i liberalizimit.