Ish-prokurori që po hetonte listat e veteranëve të UÇK-së, Elez Blakaj, dha dorëheqje rreth më shumë se një muaj më parë. Dorëheqja e tij la pas shumë paqartësi dhe spekulime për arsyen e një veprimi të tillë.
Hetimet dhe aktakuzën për veteranët që konsiderohet që përfituan jashtëligjshëm pensione, e mori përsipër një prokuror tjetër, emri i të cilit ende nuk është bërë zyrtarisht i ditur, shkruan lajmi.net.
Më 14 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë e cila u dërgua më pas në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK.
Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Pjesë e aktakuzës ishin edhe rreth 20 mijë veteranë të cilët po hetohen nga prokuroria. Lajmi.net gjatë këtyre ditëve ka publikuar emrat e veteranëve të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm. Mirëpo, në këto lista u vërejten edhe shumë emra të cilët pretendojnë se kanë prova që kanë qenë pjesë e UÇK-së deri në fund të luftës.
E emrin e tij në këtë listë të prokurorisë, e gjeti edhe vetë djali i axhës së Elez Blakajt, Burim Blakaj.
Lajmi.net ka kontaktuar sot me Burim Blakajn, i cili thotë se për të bëmat e tij e di e gjithë fshati dhe komuna. Ai tutje sqaron se kontributin të cilit ai konsideron se i takonte e ka dhënë, dhe se nuk ka qenë asnjëherë person që vrapon pas parave.
Ai sqaron se pjesë e luftës ishte që nga viti 1998.
“Kam vendosur të heshtë, jo pse Elezin e kam timin, por njëmend duhet të pastrohen listatë njëherë e përgjithmonë. Unë isha në luftë nga 98-ta, më njeh lagja ime, fshati e Komuna. Nëse e meritoj të jem veteran e gëzofsha, nëse jo nuk brengosem fare. Kam japur kontributin tim që më ka takuar dhe nuk jam njeri që vrapoj pas parave. Tek familja ime, zoti yne e di që jam i pastër si loti. Para s’kam japë si shumë të tjerë, andaj do ja lë kohës”, ka thënë Blakaj për lajmi.net.
E megjithëse emri i tij figuron në listat e prokurorisë, Blakaj përgëzon ish-prokurorin për punën e bërë.
Sipas tij, Elez Blakaj me veprimtarinë e deritanishme, ka zbardhur shumë të vërteta.
“Elezin e kam djalë axhe, dhe për asgjë në botë nuk do ta njollosja, sepse e njoh mirë. Atij i lumtë që ka zbardhë shumë të vërteta, e unë lutem që këto lista të përfundojnë ashtu që secilit t’i jipet ajo çka e meritojnë. Unë i përulem çdo ushtari të vërtetë, edhe nëse në istikame ka qëndruar një minut të vetëm, ngase këtë e ka bërë me zemër e nuk ka menduar asnjëherë për pasuri, por për atdhedashuri”, ka përfunduar Blakaj për lajmi.net.
Kujtojmë se aktakuzë është ngritur ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit.
Aktakuza është ngritur ndaj: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./E.Dragaj/Lajmi.net/