Shuma prej pesë eurove që qeveria e Shqipërisë do t’ua marrë kosovarëve që e shfrytëzojnë ‘Rrugën e Kombit’ vetëm për një drejtim, duke filluar nga 17 shtatori, po kundërshtohet me të madhe dhe po konsiderohet e pa përballueshme për xhepin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në një përgjigje për Gazetën Express Ministria e Infrastrukturës së Kosovës bën me dije se homologët shqiptarë as nuk kanë kthyer përgjigje në adresë të tyre.
Në Ministrinë e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës thonë së për kundërshtimin e kësaj takse u kanë drejtuar edhe një letër autoriteteve të shtetit shqiptar qysh në fillim të vendimit për implementimin e saj.
“Ne, që nga koha e marrjes së vendimit për taksen rrugore në “Rrugën e Kombit” kemi qenë në monitorim të situatës se si po parashihet të implementohet kjo, gjithnjë duke qenë në shërbim të ruajtjes së të drejtës për qytetarët e Kosovës, të cilët janë vizitorët me të shpeshtë të shtetit Shqiptar, komfor kësaj kemi lëshuar edhe letër në drejtim të institucioneve të Shqipërisë, por pa dashtë që kjo të dalë, si tendencë për të interferuar në punët e brendshme të institucioneve gjegjëse të shtetit atje. Kemi shfaqë mospajtimin tonë me çmimin e atëhershëm dhe po ashtu duke kërkuar që të ulemi dhe të diskutojmë për zgjidhje alternative (me të buta dhe me të përballueshme) për qytetarët tone”, kanë thënë për Express nga Ministria e Infrastrukturës.
Megjithatë tashmë kur taksimi pritet të ri-fillojë thonë që nuk kanë marrë asnjë informacion nga Ministria e Infrastrukturës së Shqipërisë nëse do të ketë ndryshim të çmimit për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Ajo çka ndodhi tutje, përmes protestave (fillimisht paqësore e më pastaj edhe që eskaluan) bëri që të anulohet (përkohësisht) vendimi për ketë taksë dhe tani kur jemi disa ditë para rifillimit të mbledhjes së kësaj takse, mund të themi se sa i përket komunikimit dhe diskutimit për ketë çështje jemi sikur edhe me herët. Nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë as për takim, por po ashtu nuk kemi pranuar, si Ministri e Infrastrukturës po flasim, ndonjë njoftim për zhvillimet e reja, qoftë të ndryshimit të çmimit apo diçka tjetër”, vazhdon përgjigja.
Sipas tyre shuma prej pesë eurove për automjetet e vogla dhe njëzet euro për automjetet më të mëdha është e pa përballueshme për xhepin e qytetarëve Kosovar.
Për këtë, nga Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, thonë që është në dorën e shtetit shqiptar që të marr një vendim më racional dhe të përballueshëm.
“A jo çka mund të themi përfundimisht është, që këto ulje e çmimit sipas numrit te qarkullimit, është diçka që pa e parë si do të implementohet, nuk mund ta interpretojmë, por nëse çmimi do të vazhdojë të jetë 5 euro për një drejtim për automjete të vogla dhe nga mbi 20 Euro për makina të mëdha, kjo bie ndeshë me mundësitë ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdojmë ta konsiderojmë të padrejtë, duke ri potencuar se është në dorën e institucioneve të shtetit shqiptarë, që të marrin vendime siç ata i vlerësojnë, si “më të drejta”” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhënë për Gazetën Express.
Kujtojmë se kundër kësaj takse të vendosur nga shteti shqiptar ishin organizuar protesta nga qytetarët e qytetit të Kukësit, të cilat më pas kishin eskaluar duke shkatërruar të gjitha sportelet e vendosura që do të shërbenin për pagesën e kësaj takse. Gjatë përplasjeve të ashpra ndërmjet banorëve të asaj pjese dhe policisë ishin lënduar të paktën 12 punonjës policie dhe drejtuesi vendor i Kukësit./GazetaExpress/