“Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, të cilën e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi” personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Tanimë, ngritja e aktakuzës për rastin “Veteranët”, për të cilën kishte raportuar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, u bë edhe zyrtarisht, për çka ka njoftuar Prokurori i Shtetit.
Megjithatë, aktakuza për veteranët e rrejshëm është dorëzuar me disa ndryshime në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Siç njofton PSRK-ja, në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale të “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë””.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), sot ka ngritur aktakuzë dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Në këtë komunikatë PSRK-ja, po ashtu ka njoftuar se i ka propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje në njoftim thuhet se nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
“Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë të shpallën fajtor dhe të gjykohen sipas ligjit. Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që gjykata të merr vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm të u ndalohet marrja e pensionit si veteran luftëtarë i UÇK-së”, vazhdon njoftimi për media e PSRK-së./Betimipërdrejtësi