Me të filluar viti i ri shkollor, frekuentimi nëpër librari dhe qendra tregtare është i dukshëm, të cilët së bashku me fëmijët e tyre po kryejnë përgatitjet për furnizimin e gjë sendeve të nevojshme shkollore. Vëmendje më e veçantë për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor iu kushtohet fëmijëve të cilët fillojnë klasën e parë, shkruan Anadolu Agency (AA).
– Maqedoni, nevojiten rreth 100 euro për të përgatitur një fëmijë të klasës së parë
Duke u bazuar në harxhimet e prindërve nëpër librari, tregje dhe dyqane, mesatarisht në Maqedoni nevojiten të paktën 6.000 denarë ose rreth 100 euro që një fëmijë i klasës së parë të pajiset me sendet themelore shkollore, ndërsa paga mesatare në këtë vend, sipas statistikave shtetërore është 24.203 denarë ose 393 euro.
Kjo shumë, përveç furnizimeve shkollore si çanta e shpinës, fletore, lapsa, ngjyra të ndryshme e goma, përfshin edhe fondet për garderobë të re për fëmijën.
Çanta e shpinës përmban koston më të madhe nga sendet e nevojshme shkollore, e cila nëpër librari dhe dyqane mund të gjendet me një çmim nga rreth 5 euro deri në mbi 50 euro, në varësi të cilësisë së saj. Mirëpo sipas shitësve, prindërit në Maqedoni zakonisht vendosin të blejnë një çantë shpine nga 15 euro deri në 25 euro.
Pjesa tjetër e furnizimeve shkollore si fletore, lapsa, plastelina, ngjyra druri, si dhe një qese të vogël për to, mund të blihen nga rreth 10 euro deri në mbi 15 euro, në varësi të cilësisë së tyre.
Ndërsa për veshjet e nevojshme për një fëmijë të klasës së parë, si bluzë, xhaketë dhe xhinse, sipas shitësve në dyqane, nevojiten nga 50 deri në 100 euro e më shumë.
Po ashtu edhe këpucët, sipas çmimeve në qendrat tregtare, mund të vlerësohen nga 15 euro deri në mbi 50 euro, në varësi të cilësisë së tyre.
Siç do vit tjetër shkollor, edhe sivjet viti i ri shkollor për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme fillon të hënën e parë të muajit shtator, që këtë vit i bie 3 shtator./drenica.press