Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka mbajtur një ligjëratë në Pallatin e Drejtësisë, para auditoriumit me studentë të Juridikut. U ka thënë atyre se politikanët duhet të bëjnë hap prapa e institucionet e drejtësisë të bëjnë hap përpara.
Delawie u ka thënë studentëve të juridikut se shpreson që të bëhen ata prijësit e guximshëm të Kosovës të së nesërmes. Luftimi i krimit dhe korrupsionit ka thënë se ka qenë prioritet i tij në udhëheqjen e Ambasadës. Ka folur për sukseset në sundimin e ligjit, derisa ka përmendur ndihmën e USAID-it për Komunat për prokurimin e hapur dhe atë të OPDAT-it të Departamentit të Drejtësisë – që po ashtu po e zbaton udhëzuesin për politikat ndëshkimore për gjyqtarë.
“Ky udhëzues do t’i ndihmojë gjyqtarët për t’i rezistuar presionit të jashtëm për të shqiptuar masa të buta ndaj atyre që kanë lidhje dhe në vend të kësaj do të mund të japin ndëshkime të njëtrajtshme për individët e dënuar nëpër tërë vendin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.
“Sepse edhe me këto të arritura, ngjarjet e fundit shpërfaqin kërcënime të hapura ndaj sundimit të ligjit në Kosovë. Veçanërisht rasti për të cilin po flasin të gjithë – rasti i pensioneve për veteranët e luftës – që prek çdo aspekt të rëndësishëm të sundimit të ligjit në këtë vend. Rasti i pensioneve për veteranët e luftës rikujton kohën e luftës në Kosovë, ka pasoja të rëndësishme për buxhetin shtetëror, përfshin pretendime për mashtrim dhe korrupsion të nivelit të lartë dhe nënkupton që ka pasur ndërhyrje politike dhe frikësime – duke përfshirë edhe përbrenda institucioneve të sektorit të drejtësisë”, ka thënë ndër të tjera Delawie.
E meqë kohëve të fundit EULEX-i ua ka bartur institucioneve kosovare përgjegjësinë për sektorin e drejtësisë, nuk ka kush tjetër për t’u marrë me këtë, ka thënë Delawie, duke shtuar se Kosova tash e ka pronësinë mbi sistemin e drejtësisë.
“Nëse ajo s’e bën të duhurën, askush tjetër nuk do ta bëjë”, ka thënë ai.
Delawie ka thënë se “duke marrë parasysh gjithë këto që sapo i përshkrova, besoj që Kosova ka ardhur në një pikë kthimi të rëndësishme”. Sipas tij, janë dy çështje të rëndësishme që duhet të trajtohen urgjentisht.
“Së pari, i kemi parë pretendimet për mashtrim të profilit të lartë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë për miratimin e statusit të veteranit – duke filluar me 19.000 prej tyre – të cilët, sipas të gjitha gjasave, nuk do të duhej të kualifikoheshin për përfitime. Kemi dëgjuar që disa parashtrues të kërkesës hapur kanë deklaruar se kanë qenë fëmijë në kohën e konfliktit ose që kanë pasur çështje shëndetësore që nuk kanë të bëjnë me luftë. E megjithatë, një numër i zyrtarëve prapëseprapë i miratoi kërkesat e tyre për përfitime, jashtë kritereve të ligjit. Ky është thelbi i këtij rasti: vendimmarrësit në pushtet që e shpërfillin ligjin”, ka thënë Delawie.
Ai ka thënë se pret hetime të mëtejme dhe veprime për ta eliminuar hendekun e stërmadh në mes të numrit të pensioneve dhe numrit të luftëtarëve të identifikuar pas luftës.
“I kemi hulumtuar arkivat në Washington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15.000 luftëtarë të UÇK-së. Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria”, ka thënë Delawie.
E dyta, sipas tij, kemi parë frikësim të hapur politik dhe institucional, përmes kërcënimeve dhe sulmeve personale kundër një prokurori – sjellje që vetëm mbështet pohimet e tij për kërcënime dhe presion politik si arsye për dorëheqjen e tij.
“Deklaratat e prijësve, për fat të mirë, kanë ndryshuar në drejtim pozitiv gjatë ditëve të shkuara duke e pranuar se ky rast duhet të vazhdojë tutje. Megjithatë, nuk mund të shpërfillim se tashmë ka pasur sjellje frikësuese. Kjo krijon mjedis armiqësor për cilido prokuror apo gjykatës të ardhshëm, që përfundimisht e çon këtë rast – apo cilido rast tjetër politikisht të ndjeshëm – deri në fund”, ka thënë Delawie.
I pari i SHBA-së ka thënë se kjo sjellje kërcënuese është tërësisht jorespektuese ndaj besimit të opinionit publik që ia kanë dhënë udhëheqjes së Kosovës.
“Dhe, publiku qartazi është lodhur me arsyetimet, fajësimin e njëri-tjetrit dhe refuzimin për të marrë përgjegjësinë. Kosovës i duhen udhëheqës guximtarë për ti trajtuar seriozisht këto pretendime për korrupsion, për të pranuar që persona me lidhje politike mund të jenë të përfshirë dhe për t’u zotuar para opinionit publik se do të lejojnë që ky rast të shkojë përpara. Këta udhëheqës të guximshëm duhet ta shohin këtë si mundësi të shkëlqyeshme për ta fituar mirëbesimin e publikut dhe për të filluar për ta rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë”.
Delawie ka thënë se Kosovës i duhen udhëheqës guximtarë sepse Kosova do të gjykohet: nga vetë qytetarët e saj, nga qeveritë evropiane dhe të tjerët, si unë, që po vështrojnë – jo për faktin se ekziston një skandal i korrupsionit të nivelit të lartë, por për mënyrën se si do ti trajtojë problemet që ky rast i ka nxjerrë në shesh.
“Shpërfillja apo vonesa e përhershme e rastit të pensioneve për veteranët e luftës dhe rastet e tjera që përfshijnë korrupsion serioz me shpejtësi do të zhbënin 10 vitet e fundit të përparimit. Por, në këtë pikë të kthimit, ka edhe një rrugë tjetër. Politikanët duhet t’ia garantojnë prokurorisë dhe gjyqësorit pavarësinë e tyre të ligjshme, pa frikësim e ndikim të pahijshëm, për ta ndjekur këtë rast dhe rastet e tjera të niveleve të larta – madje edhe nëse kjo nënkupton t’iu vihen pas personaliteteve të shquara”, ka thënë ai.
“E pastaj, prokurorët dhe gjyqtarët duhet ta kryejnë punën e tyre pa frikë e pa hatër. Me fjalë të tjera: Politikanët duhet të bëjnë një hap prapa. E institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë një hap përpara. Dhe pastaj, ky rast mund të bëhet rrëfim i suksesshëm”, ka shtuar më pas.
Sukses, sipas tij, do të ishte një proces që siguron se secila palë ka mundësi të drejtë dhe të barabartë për tu dëgjuar dhe ku vendimet merren në bazë të dëshmive e jo për dobi politike.
“Në fund, vazhdimi i këtij rasti është hap i duhur drejt nderimit të veteranëve të Kosovës, për të siguruar që buxheti nuk bankroton dhe për të demonstruar pjekurinë e qeverisë”, ka thënë Delawie.
Suksesi po ashtu do të thotë që Kosova duhet të zhvillojë një sistem politik e të shërbimit publik që refuzon frikësimin e qytetarëve që e kanë besimin për të ruajtur llogaridhënien dhe drejtësinë, ka thënë Delawie, teksa ka shtuar se shoqëria civile tashmë po ndihmon në arritjen e kësaj.
“Gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të Kosovës po hyjnë në një erë të re të profesionalizmit dhe pjekurisë. Nuk mund të mendoj për ndonjë të arritur më të rëndësishme në ditëlindjen e dhjetë të vendit se sa të kesh shtyp të fuqishëm, të pavarur e të guximshëm”.
Ka folur edhe për punën e gazetarëve.
“E ju e keni arritur këtë. Gazetarët tuaj po tregojnë se ata janë institucioni më efikas për t’iu kërkuar llogari zyrtarëve publikë. Organizatat tuaja të zëshme dhe aktive të shoqërisë civile po mbajnë debate dinamike për çështjet e rëndësishme, po zhvillojnë vegla online për ti bërë veprimtaritë e qeverisë më transparente dhe po kërkojnë performancë më të mirë nga qeveria. Kjo është udhëheqje e guximshme. Këta individë dhe organizata në mënyrë sistematike po i ndriçojnë çështjet e vështira dhe po kërkojnë llogaridhënie”, ka thënë Delawie.
Institucionet po ashtu duhet ta kryejnë pjesën e tyre të punës për ta mbrojtur misionin e drejtësisë.
“Pakoja e Ligjit për përgjegjësi disiplinore duhet të kalojë në leximin e dytë në Kuvend në vjeshtë. Ky ligj do të sigurojë integritetin e sistemit të drejtësisë duke siguruar mënyrën për adresimin e sjelljes së pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kosovës i duhet kjo sepse – siç e dimë shumë prej nesh – sistemi i tanishëm nuk i ndëshkon prokurorët që nuk marrin pjesë në seanca dëgjimore apo gjyqtarët që i mbajnë seancat pa praninë e palëve përkatëse. E si rezultat i kësaj, kriminelët ecin lirshëm në mesin tuaj.
Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve po ashtu duhet të kalojë në Kuvend për të luftuar këtë kulturën e pandëshkueshmërisë duke i mbrojtur nga hakmarrja personat që parashtrojnë ankesa. Kurse institucionet përbrenda duhet ti shpërblejnë e jo ti ndëshkojnë personat me performancën më të mirë. Janë pikërisht këta individë me performancë të mirë që do të bëhen gjenerata e ardhshme e heronjve të Kosovës duke iu kërkuar të tjerëve llogari në emër të qytetarëve”.
Fjalën e tij e ka përfunduar me një porosi.
“Thirrja ime për veprim sot iu drejtohet në mënyrë të barabartë udhëheqësve të guximshëm të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Ju nxis të gjithëve që të pritni më shumë, të kërkoni më shumë dhe të realizoni më shumë. Mos iu nënshtroni pikëpamjes cinike se korrupsioni është gjithkund dhe asgjë nuk mund të bëhet. Përderisa mund t’ju siguroj se unë dhe kolegët e mi do të vazhdojmë të ushtrojmë presion në takimet private dhe publike – në të vërtetë i takon popullit të Kosovës për të kërkuar që prijësit dhe institucionet tuaja të mundësojnë ndarje të drejtë dhe efikase të drejtësisë”, ka thënë Delawie.
“E di se ju e dëshironi këtë gjë. E di se ka njerëz të mirë në qeveri që e dëshirojnë këtë. Dhe e di se ju mund ta arrini këtë duke i ngritur pritjet tuaja dhe duke kërkuar që ato të përmbushen. Do të duhen shumë udhëheqës të guximshëm të gatshëm për ta bërë të duhurën, veçanërisht kur kjo është e vështirë politikisht. Por, mund të ndodhë dhe vendi juaj do t’ju falënderojë për këtë gjë”, ka shtuar më tej./veriu.info