Ministria e Administratës Publike (MAP) ende nuk e ka proceduar në Qeveri Projektligjin për Pagat. Ndonëse me këtë projektligj pritet të zvogëlohen përgjysmë beneficionet e zyrtarëve shtetërorë, i njëjti nuk ka gjetur rrugën ligjore për t’i nivelizuar pagat në sektorin publik në Kosovë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Zyrtarët shtetërorë po i gëzojnë pagat me rritjen të cilën e vendosën vetë. Përfitime të tilla duket se do të përjetojnë edhe më tutje, pasi Ministria e Administratës Publike (MAP) është duke e zvarritur procedimin në Qeveri të Projektligjit për Paga si deri më tani.
Gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim kabinetit të ministrit, Mahir Yagcilar, për t’i kuptuar arsyet e zvarritjes. Në këtë institucion thonë se kanë përfunduar punën me hartimin e Projektligjit për Paga, por po presin vetëm vlerësimin financiar nga Ministria e Financave.
“Ministria e Administratës Publike e ka përfunduar punën në hartimin e Projektligjit për Pagat. Por në bazë të legjislatives në fuqi çdo akt ligjor dhe nënligjor para se të dërgohet për miratim në Qeveri duhet të ketë opinionin për vlerësim financiar nga Ministria e Financave dhe opinionin e përputhshmërisë me Acquis të BE-së nga Ministria e Integrimeve Evropiane. Me qëllim të marrjes së opinioneve të lartcekura dhe në pajtim me legjislacionin MAP-i ka dërguar Projektligjin për Pagat në institucionet e lartcekura”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni.
Më tej kanë treguar se janë duke pritur vetëm opinionet nga institucionet e lartcekura për ta dërguar Projektligjin për miratim në Qeveri. /Zëri/Telegrafi/.