Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon të mbrojë idenë se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve me Serbinë.
Madje, ai ka thënë se në shtator mund të nisin diskutimet e hapura për mundësinë e Bashkimit të Luginës së Preshevës me vendin tonë.
Mirëpo, një ide të tillë nuk e përkrahë pothuajse askush nga partitë politike.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha thotë se ata janë kundër ndryshimit të kufijve dhe se kufijtë duhet të mbesin ato që janë caktuar me “Pakon e Ahtisarit”.
Sipas Berishës, ndryshimi i kufijve përbën rrezik të madh dhe mund të ndodh ajo çfarë ka ndodhur deri më tani në Ballkan, luftëra të përgjakshme.
“Nuk kemi mbajtur ndonjë takim për të unifikuar ndonjë qëndrim, por janë kufijtë e pavarësisë me pakon e Ahtisarit, ata kufi do të mbesin dhe nuk ka askush nuk ka autoritet që në emër të vet t’i ndryshojë ata kufij, sepse pastaj munden mu prodhuar probleme të mëdha. Mund të hapen probleme edhe më të mëdha që në Ballkan dihet se kanë ndodhur luftëra të përngjashme. Do të prodhojmë një problem shumë të madh që nuk do dihet pastaj as filli e as fundit se çfarë do të ndodh. Është problemë të preken kufijtë”, ka thënë Berisha.
Ai thotë se nuk e përkrahin ndryshimin e kufijve, e as nuk do e lejojnë.
Kundër korrigjimit të kufijve është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Deklaratat e Thaçit për korrigjimin e kufijve, LDK i quan të papërgjegjshme duke shtuar se ai po shkel Kushtetutën.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri thotë se Thaçi ka humbur rrugën në oborr dhe se me këtë paraqitje ai e ka një siklet diku.
“LDK nuk e përkrah këtë ide. Ne jemi që vazhdimisht të flitet për të drejtat e Luginës së Preshevës dhe kudo që janë shqiptarët, por që, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka kushtetutën e saj, ka kufijtë e saj dhe si e tillë jemi pranuar nga shumë shtete dhe çdo qasje tjetër tregon se Thaçi e ka humbur rrugën në oborr, dhe shpresojmë që shumë shpejt do e dimë se cili është sikleti i tij, çfarë sikleti ka ai njeri me këto paraqitje të tija tejet të papërgjegjshme për mendimin tonë. Me margaritarët e fundit, veçmas për korrigjimin e kufijve ai po bën shkelje edhe të Kushtetutës së Kosovës, për çka ai mund të jetë përgjegjës para të ardhmes para ligjit”, ka thënë Beqiri.
Fuqishëm e kundërshton edhe Lëvizja Vetëvendosje thotë se Thaçi po mundohet të bëj mjegulla dhe të mos kuptohen marrëveshjet e fshehta e të dëmshme për vendin, që ai i ka bërë.
“Thaçi në këto deklarata po tregon edhe njëherë aftësinë e tij për ta mjegulluar gjithçka që ka të bëjë me raportin në mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt nuk bëhet fjalë në këtë moment as për këmbim territoresh, e as ndryshim kufijsh. Në këtë rast bëhet fjalë për njëmarrëveshje shumë të rëndë dhe të keqe që tashmë Thaçi e ka nënshkruar me Serbinë, dhe krejt çka po ndodhë tani është për ta mbuluar këtë marrëveshje. Lojërat e tilla vazhdojnë të mbesin lojëra të rrezikshme, nga një person i rrezikshëm që quhet Hashim Thaçi. U kemi paralajmëruar se kur bëhet fjalë për Thaçin, ai nuk është politikan i keq, por edhe një politikan i rrezikshëm. Ju kemi paralajmëruar për një epilog të tillë të Thaçit dhe Vuçiqit”, thuhet në VV.
Indeksonline ka tentuar të flas edhe me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me qëndrimin e tyre sa i përket kësaj çështje, mirëpo të njëjtit nuk janë deklaruar.
Ndryshe, kundër idesë për korrigjimin e kufijve janë shprehur edhe njohësit e çështjeve politike, të cilët konsiderojnë se kjo gjë mund të jetë shumë e rrezikshme për gjithë Ballkanin.