Ende pa kaluar 24 orë pas takimit me Hashim Thaçin në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA Greg Delaëie, kryeministri Ramush Haradinaj është shfaqur më i vendosur se kurrë, kundër idesë së “Korrigjimit të kufijve” me Serbinë. Haradinaj sërish sot përmes një konference të jashtëzakonshme për media, u deklarua lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haradinaj tha se me presidentin Hashim Thaçi janë duke diskutuar, por se pozicioni i tij kundër korrigjimit të kufijve është i qartë.
“Jemi duke biseduar, e vërteta është kështu ka një kohë të gjatë që ekziston një teori e marrëveshjes shqiptaro-serbe. Tashmë diskursi ka ndryshuar. Pozicioni im është i qartë, në mënyrë korrekte. Është logjikë e gabuar me u kthy prapa për diçka që e kemi mbërri. Ne synojnë anëtarësimin në BE”, tha ai.
Sa i përket pjesëmarrjes së Haradinaj në bisedimet në Bruksel, kryeministri tha se nuk ka kohë për të marrë pjesë atje.
“Unë s’e mohoj kryerjen e funksioneve që mi jep kushtetuta, po realisht për këtë çështje problemi është te koha. Për dialog nuk kam shumë kohë”, tha Haradinaj.
Gjatë ditës kryeministri dhe presidenti kanë zhvilluar polemika nëpërmjet Facebook-ut, për çështjen e kufijve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve.
Të dy presidentët do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini./veriu.info