Xhafer Tahiri është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit Norëalk në Ioëa të SHBA. Është ngritur edhe flamuri i Kosovës bashkë me flamurin amerikan, në ceremoninë e organizuar me atë rast.
Në intervistën për programin e mëngjesit në Radio Kosovë, kryetari i Vushtrrisë, flet për detajet e fushat më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi, për projektet e realizuara këtë vit, për rrugët që janë në ndërtim e sipër. Për investimin dhe çasjen më ndryshe në arsimin dhe edukimin e të rinjëve. Në veçanti për planet e tij për bujqësinë dhe zonat ekonomike të qytetit të Vushtrrisë
Intervista e plotë:
Z. Xhafer Tahiri, si jeni përzgjedhur për këtë çmim apo titull?
Xhafer Tahiri: Ne në muajin maj kemi nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit me qytetin Norëalk të SHBA. Është një qytet që ka rritje më të shpejtë në gjithë SHBA. Një qytet jo shumë i madh, por që është duke u rritur dhe duke u transformuar vazhdimisht. Në muajin maj ne kishim një delegacion shumë të gjerë në Kosovë nga shteti i Ioëas, në mesin e të cilëve ishin edhe nga qyteti i Norëalkut, me të cilin në nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi dhe binjakzimi. Ne organizuam një pritje të bukur në qytetin e Vushtrrisë, në kalanë e qytetit, ku ishte edhe kryeministri i vendit dhe ishte i tërë delegacioni nga Ioëa, ambasada amerikane dhe zyrtarë të USAID-it. Të gjithë ishin të impresionuar me kalanë dhe me trashëgiminë kulturore të Vushtrrisë. Në Norëalk ata e kthyen këtë ceremoni që kishim ne në Vushtrrisë. U ndjeva shumë krenar, kur në prani të ushtrisë amerikane, dy gjeneralë të ushtrisë amerikane dhe dy gjeneralë të FSK-së, të cilët rastisën të jenë në këtë ceremoni, u ngrit flamuri i Kosovës, krahas atij amerikan dhe do të vazhdojë të qendrojë flamuri i Kosovës në hyrje të ndërtesës së qytetit të Norëalkut dhe ishte vëretet një moment krenarie dhe nderimi edhe për mua dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë.
Në cilat fusha keni bashkëpunim, ku shihni më shumë interes?
Xhafer Tahiri: Iowa është shtet agrar, bujqësia është e zhvilluar shumë atje dhe qyteti i Norëalkut është i zhvilluar shumë ekonomikisht. Ne kemi identifikuar edukimin, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik si fusha në të cilat ne do të rrisim bashkëpunimin tonë. Tashmë dy studentë nga Vushtrria janë përzgjedhur me bursë të plotë për të studiuar në DMACC, në një prej universiteteve më të mira në shtetin e Ioëas. Ata janë me bursë të plotë, ndërkohë që komuna i ka përkrahur duke iu paguar biletat e udhëtimit. Në shtator do të vijnë disa nxënës nga Ioëa bashkë me profesorë të tyre, do të qendrojnë në Vushtrri për disa ditë. Ndërsa në vitin tjetër, në pranverë, do të dërgojmë disa nxënës tonë, bashkë me një profesor të tyre dhe të shofim përvojat atje. Unë konsideroj që arsimi është çelësi i transformimit tonë. Dhe mundësia për nxënësit dhe arsimitarët tanë, që të shohin modelin amerikan të edukimit, pa diksutim do të ndihmojë që këta nxënës dhe këta profesorë të na kthehen më të përgatitur dhe më të motivuar për të ndryshuar vendin tonë.
z. Tahiri, të përqendrohemi pak në komunën që drejtoni ju. Për këtë vit ju keni publikuar një plan pune që në fillim të tij ka qenë transparenca me qytetarë. Cfarë mund të përmendi në këtë raport, që mund të hyjë te transparenca?
Xhafer Tahiri: Ne vertet jemi zotuar për një qeverisje të hapur dhe transparente dhe këtë po mundohemi ta bëjmë çdo ditë. Unë kam vendosur që të publikoj çdo javë shpenzimet personale të miat për të treguar se kryetari i komunës është njëri ndër qytetarët e komunës i barabartë, për të treguar një shembull që mund të ndodhë edhe kjo, sepse ndonjëherë ka shpenzime më të mëdha, ndonjëherë shpenzime më të vogla. Nuk ka rëndësi sa janë shpenzimet, është e rëndësishme që ato të bëhen publike çdo javë dhe të jemi transparentë. Poashtu e kemi vendosur atë politikën qeverisëse me dyer të hapura për qytetarët e Vushtrrisë dhe kjo po funksionon shumë mirë. Ne kemi të rregullta takimet e hapura, por jo vetëm. Ne çdo ditë kemi takime me qytetarë të Vushtrrisë, bisedojmë me ta. Në shumicën e rasteve, të them të drejtën, krejt çka kanë nevojë është që të dëgjohen dhe të bisedojmë bashkë.
Deri tani nuk janë dëgjuar?
Xhafer Tahiri: Kam përshtytpjen që i kemi pas mbyllur shumë institucionet. E kam fjalën për ne që kemi pasur pozita publike duke shmangur komunikimin me qytetarë. Dhe unë jam i bindur se sa më shumë që të hapim komunikimim me qytetarë, sa më shumë që të hapemi për qytetarë, më tepër do të fitojmë përkrahjen e tyre dhe do të fitojmë besimin e tyre, dhe rrjedhimisht do t’i zgjidhim më lehtë problemet. Ne nuk kemi me mbërri me i zgjidhë të gjitha problemet që kanë qytetarët e Vushtrrisë dhe të gjithë e dinë këtë, por kemi mundësi që të bisedojmë me secilin për problemet që i kanë, për të parë se si mund t’i zgjidhim ato.
Keni një listë të gjatë prej rreth 40 të prioriteve që i keni quajtur kryesore, a keni arritur t’i realizoni dicka nga to?
Xhafer Tahiri: Për fat të mirë, ne po punojmë çdo ditë për t’i realizuar ato prioritete. Tashmë, qeverisja transparente është një punë e vazhdueshme. Për këtë jemi partner me USAID, që po na mbështet tek prokurimi publik, si një nga pikat më të ndjeshme në administrimin publik dhe komuna e Vushtrrisë, nga pesë komuna që janë përzgjedhur nga USAID, për t’u diplomuar, si me thanë, në transparencë, qëndron mjaft mirë. Jemi ndër komunat e para në transparencë në prokurimin publik. Jemi poashtu ndër komunat e para që kemi hapur tërësisht kontratat me operatorët ekonomikë. Ndërkohë sa u takon realizimit të projekteve, ne vetëm se zonën ekonomike e kemi lincencuar në kohë rekord dhe e kemi siguruar buxhetin për këtë zonë ekonomike, sepse është shumë me rëndësi. Qytetet tjera që kanë licencuar zonën ekonomike nuk e kanë buxhetin për ta zhvilluar zonën ekonomike. Ne e kemi, si rezultat i angazhimit tonë dhe në përkrahje të grupit parlamentar të LDK-së dhe të partive të tjera, me të cilat ne jemi në koalicion në Vushtrri, në parlamentin e Kosovës është aprovuar buxheti prej 1.2 milion euro dhe tash është procedura e tenderimit nga ministria e tregtisë për investime në zonën ekonomike.
Ku e keni përqendruar zonën ekonomike?
Xhafer Tahiri: Në fshatin Lum i madh. Kjo është zona ekonomike, që po vazhdon projekti. Ne i kemi pas propozuar qeverisë së Kosovës që të kemi zonën ekonomike amerikane në qytetin e Vushtrrisë, në kodrat e Bajskës që njihen…
Vushtrria një komunë e vogël, por me territor shumë të shtrirë në fshatra?!
Xhafer Tahiri: 356 km2 ka sipërfaqe komuna e Vushtrrisë. Komuna ka 65 fshatra. Sa i përket zonës ekonomike amerikane, të cilën e kemi propozuar, qeveria tash për tash ka vendosur që ajo zonë të vendoset në Gjakovë. Por ne nuk kemi hequr dorë nga ideja që edhe Vushtrria ta ketë një zonë të tillë, sepse nuk mund t’iu imponohet bizneseve amerikane se duhet të shkojnë vetëm në Gjakovë. Duhet të kenë më tepër se një alternativë për ato biznese që të bëjnë zgjedhjen vetë. Nëse dëshirojmë të jemi atraktivë duhet të japim më shumë alternativë.
Ju mendoni se Vushtrria është e përshtatshme për një zonë të tillë ekonomike?
Xhafer Tahiri: Absolutisht!
Të flasim pak për rrugën rajonale Prishtinë – Mitrovicë, që e përshkon edhe një pjesë të Vushtrrisë. Ajo rrugë është gati gjithë vitin shumë e ngarkuar. Cila është kompetenca e komunës për të evituar sadopak atë ngarkesë?
Xhafer Tahiri: Është e vertetë që qytetarët e Vushtrrisë, por edhe të Mitrovicës edhe ata në veri, për fat të keq, vuajnë nga kolonat e gjata gjatë, sidomos gjatë verës dhe mua më vie keq për këtë. Arsye është një keqplanifikim i qytetit për 10 vitet e kaluara. Në vend që të punohej, të zgjerohej rruga brenda qytetit, është fokusuar vemëndja diku tjetër. Natyrisht, ky projekt është i ministrisë së infrastrukturës, megjithatë, komuna do të duhej të insistonte me kohë që çdo projekt i ministrisë së infrastrukturës në radhë të parë të zgjeronte rrugën brenda qytetit, sepse nuk ka pasur konteste pronësore që do ta shtynin këtë realizim. Pastaj ndërtimi i rrethit në hyrje të Vushtrrisë, një rreth që është ndërtuar për teke të pushtetarëve të kaluar, për fat të keq, nuk i përmbushë standardet. Për t’u ndëryshuar ky rreth tani, duhet të revidohet komplet projekti dhe të rishpallet tenderi në ministrinë e infrastrukturës, sepse këta e quajnë projekt të përfunduar. Dhe arsyeja e tretë, kryesorja mendoj unë, është që komplet veriu i Kosovës dyndet në dy shirita dhe, thjeshtë, nuk po e përballon. Ne kemi një plan operativ me policinë e Kosovës, me drejtorinë rajonale të trafikut, pjesëtarët e së cilës vazhdimisht janë në qytetin e Vushtrrisë. Por, kolona nuk është vetëm në Vushtrri, por ajo vazhdon deri në Mitrovicë, pra edhe pasi të kalohet Vushtrria, qytetarët vazhdojnë të jenë në kolonë deri në Mitrovicë. Zgjidhja do të jetë ajo që ministria tashmë i ka nënshkruar kontratat për zgjerimin e rrugës brenda qytetit të Vushtrrisë. Për këtë vit nuk ka buxhet. Ne i kemi kërkuar qeverisë së Kosovës që përmes ridestinimit t’i vendosë mjetet në këtë projekt. Nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje. Si subjekt politik, si LDK, bashkë me kryetarët tjerë të komunave, i kemi ofruar qeverisë mundësinë që ta rishikojë buxhetin dhe kemi thënë që votat e LDK-së do të jenë pro rishikimit të buxhetit, nëse qeveria do ta sillte ligjin për rishikimin e buxhetit…
Nuk do të ketë rishikim?!
Xhafer Tahiri: Po. Nuk do të ketë rishikim. Nuk e di pse qeveria e Kosovës nuk ka bërë rishikim. Është çështje e saj. Por LDK edhepse në opozitë, në interes të qytetarëve të komunave, ku ne qeverisim, ka qenë që të kemi rishikim të buxhetit, dhe ne kemi ofruar përkrahjen tonë për këtë projekt. Por nuk ka ndodhur. Do të insitojmë që vitin e ardhshëm të ketë mjete të mjaftueshme që të zgjerohet rruga për qytetin e Vushtrrisë dhe zgjerimi i kësaj rruge do të përballojë më lehtë fluksin e madh të automjeteve.
Do të mund ta realizoni këtë projekt, para verës së ardhshme, kur vijnë mërgimtarët, që të ketë një trajtim më të mirë edhe për ta?
Xhafer Tahiri: Natyrisht. Ky është synim i yni. Vetëm një statistikë t’ju jap: vetëm brenda një ore në Vushtrri, kur nuk është piku i sezonit kur kemi bashkëatdhetarë, në bazë të një matje që kemi bërë, kalojnë mbi 500 automjete.
Riparimet në rrugë janë paraparë në Vushtrri dhe në fshatra. Keni arritur të realizohen investimet siç i keni paraparë në planin tuaj publik?
Xhafer Tahiri: Ne në fakt, kemi vazhduar projektet që kanë qenë të vitit të kaluar, të aprovuara për infrastrukturë rrugore. Nuk kemi hyrë të bëjmë ndryshime në to, pavarësisht se i ka aprovuar një subjekt tjetër politik. Për ne e rëndësishme ka qenë që ato kanë shkuar për qytetarin. Nuk jemi ngutur që të çelim punë gjatë sezonit të verës, për shkak të fluksit të madh të bashkëatdhetarëve. Tashmë i kemi nënshkruar kontratat për asfaltimin e rrugëve në 17 fshatra të Vushtrrisë dhe tashmë ka filluar në disa fshatra shtrimi i rrugëve lokale. Për vitet në vijim, fokusi i buxhetit do të jetë më shumë kah zhvillimi se sa kah infrastruktura rrugore, Sidomos përkrahje do të ketë për bujqësinë dhe bizneset.
Edhe sa punë ju kanë mbetur deri në fund të vitit?
Xhafer Tahiri: Kemi përmbledhur disa projekte që kanë rëndësi të madhe për qytetin e Vushtrrisë. Sapo kemi përmbyllur projektin me grante për mbështetje për biznese, kemi mbështetur 63 biznese në Vushtrri, 36 prej tyre janë biznese fillestare. Një numër prej tyre janë biznese që udhëhiqen nga gratë. Poashtu kemi përkrahur 33 fermerë me makineri bujqësore dhe me serra. Jemi duke i përkrahur bujqit dhe fermerët me dredhëz industriale dhe me bimë aromatike dhe mjekësore që janë pjesë e programit me agro-USAID. E kemi edhe një projekt shumë interesant që është mbulimi i normës së interesit për bizneset në Vushtrri. Kemi nënshkruar kontratën. Komuna do të paguaj afër 100 mijë euro për mbulimin e normës së interesit dhe shpresojmë që me këtë projekt do të lirohen mbi 1 milion euro për bizneset në Vushtrri. Është një projekt që ka zgjuar shumë interesim tek bizneset e Vushtrrisë, te agrobizneset në veçanti. Po vazhdon të realizohet me bankën që është përzgjedhur përmes procedurave publike, si masë konkrete që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal, por do të ulin papunësinë. Poashtu, po vazhdon projekti i zonës ekonomike, ku ne synojmë që nga viti i ardhshëm t’i vendosim bizneset aty.
Në shtator ju do të bëni një rrumbullakim të buxhetit, me siguri. A pritni që do t’ju mbetet suficit i buxhetit, për shkak të ndonjë projekti të parealizuar?
Xhafer Tahiri: Jo, jo. Ne kemi nënshkruar kontratat njëvjeçare. Kemi bërë prerjen e krejt buxhetit që ka mbetur nga këto kontrata. Tashmë kemi përgatitur çdo gjë për mbledhjen e Kuvendit në shtator dhe do të kemi menjëherë ritenderimin për projektet në vijim nga mjetet që kanë mbetur. Kështu që nuk presim që të kemi suficit.
z. Tahiri, a jeni gati të nisni vitin e ri shkollor 2018/2019?
Xhafer Tahiri: Po. Kemi mbi 10 shkolla që po i renovojmë komplet. Mund të kemi disa ditë në fillim pak vonesa. Por këtë vit shkollor e presim me inventor të ri në shumë shkolla, me 11 shkolla të renovuara dhe me një qasje të re në arsim. Ne kemi filluar tashmë me kënde të leximit në dy shkolla në Vushtrri, kemi filluar me praktikën e njoftimit të prindërve me sms për çdo gjë lidhur me nxënësit. Dhe na duhet përkrahja e prindërve me bë shkollën si duhet. Unë i ftoj prindërit e Vushtrrisë që të jenë më aktivë me Këshillat e prindërve në shkolla dhe të punojnë bashkë që shkolla të jetë siç ata e duan për fëmijët e tyre.
T’i kthehemi edhe njëherë bashkëpunimit që keni me qytete tjera. Keni ndonjë bashkëpunim tjetër përveç me këtë në Ioëa të SHBA-së?.
Xhafer Tahiri: Bashkëpunimi me Norëalkun është shumë i veçantë. Miqësia jonë me SHBA dhe me popullin amerikan është e shenjtë, mendoj unë. Ne duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë miqësi. Vertetë ishte e jashtëzakonshme pritja që na është bërë në SHBA dhe për të parë se si na vlerësojnë atje. Pa dyshim që SHBA-të janë demokracia më e madhe në botë sot. Shteti më i fuqishëm në botë dhe ne jemi të bekuar që kemi trashëguar këtë miqësi nga ata që e kanë ndërtuar deri tani dhe ne duhet ta ruajmë e ta zhvillojmë ne, në mënyrë që brezat që vijnë pas nesh ta ruajnë këtë miqësi me SHBA dhe ta kultivojnë edhe më shumë. Kjo arrihet duke bashkëpunuar më shumë, duke dërguar sa më shumë studentë, duke sjellë sa më shumë profesorë nga SHBA dhe duke marrë përvoja më të mira të tyre. Përveç tyre ne kemi një bashkëpunim me qytetin Växjö në Suedi dhe poashtu ka disa iniciativa prej bashkëatdhetarëve që të kemi binjakëzime me qytete tjera në Evropë, të cilat besoj që do t’i realizojmë gjatë viteve në vijim.
Intervistoi: Hyrë Tejeci-Murati/Rtk