Banorë të mbi dhjetë fshatrave të Artakollit të Vushtrrisë, kanë protestuar sot në fshatin Druar për problemet që po kanë në qarkullim dhe ndotjen e madhe nga rruga që po punohet tani e një kohë të gjatë, raporton Gazeta online Veriu.info.
‘Përmes kësaj proteste ne banorët e zonës kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe transportit që të financoj shtrimin së paku të shtresës së parë të asfaltit, ndryshe jeta për ne është bërë e padurueshme për shkak të pluhurit të madh por edhe për shkak të gropave nëpër rrugën me zhavorr’, i ka thënë Gazetës Veriu.info Agron Lushaku kryetar i Këshillit të fshatit Nevolan që ishte ndër organizatorët e kësaj proteste.
Protestuesit i kanë vënë ultimatum qeverisë se nëse nuk ndërmerr veprime të shpejta për ta zgjidhur këtë problem, ata do të radikalizojnë protestën e tyre, me bllokim të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Ndryshe që nga pranvera e këtij viti ka filluar ndërtimi i rrugës rajonale Bukosh –Prelluzhë diku afër 15 kilometra e gjatë, që njihet si rruga alternative Mitrovicë-Prishtinë dhe që lidh afër 20 fshatra të Vushtrrisë me qytetit por edhe me Obiliqin e Prishtinën.
Punëkryesi e ka hapur gjithë trasenë e kësaj rruge të cilën e ka shtuar me zhavorr, e që nuk është duke vazhduar ende me punët asfaltit. /Veriu.info/
Shihni më poshtë fotot e gjendjes së kësaj rruge: