Nesër në Vushtrri do të organzohet një protestës, ku do të shprehet pakënaqësia me rastet e fundit të dhunës ndaj gruas në Kosovë, ku disa raste përfunduar edhe me fatalitet, shkruan Veriu.info.
Organizatore e kësaj proteste është Fjolla Ujkani, asambleiste e VV-së në Kuvendin e Komunësë Vushtrrisë.
“Duke pasur parasysh rastet e fundit të dhunës ndaj gruas në Kosovë që madje përfunduan me fatalitet ku fatkeqësisht raste të tilla kemi pasur edhe nga Komuna jonë, ne si anëtare të Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në bashkëpunim me anëtaret tjera kemi marrë vendim që përmes një proteste të shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën tonë ndaj sistemit të rendit dhe drejtësisë për mos efikasitetin e tyre ndaj këtyre fenomeneve.
E drejta e gruas është e drejtë e njeriut dhe është si çdo e drejtë tjetër, andaj ne kërkojmë nga institucionet gjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat e duhura që të parandalojnë këto dukuri, kurse ata që kanë neglizhuar rastet e tilla të vihen në përgjegjësi.
Në këtë protestë jemi bërë bashkë nga te gjitha subjektet politike, aktiviste të shoqërisë civile, aktiviste të të drejtave të njeriut, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore dhe qytetarë të vullnetit të mirë me një kërkesë të vetme: STOP DHUNËS NDAJ GRUAS!
Ju ftojmë edhe juve të na bashkangjiteni në këtë marsh protestues me datën 31.08.2018 ditë e premte, ora 12:15 ne oborrin e objektit të Komunës së re.
Marshi protestues do të vazhdoj deri në fund të sheshit “Adem Jashari” përkatësisht përballë shtatores së Adem Jasharit”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Fjolla Ujkani në redaksinë e gazetës online Veriu.info