Përveç problemeve tradicionale me furnizim me barna, QKUK-ja vazhdimisht ka pasur skandale edhe me rastin e emërimeve të drejtuesve të klinikave për shkak të keqpërdorimeve të bëra gjatë procesit, ku shumë shpesh janë anuluar konkurset.
Para disa ditësh drejtor i Klinikës së Radiologjisë është përzgjedhur Bujar Gjikolli, i cili të kaluarën e tij studimore e ka të dyshimtë, thonë burime të Veriu.info nga QKUK-ja.
Veriu.info e ka siguruar diplomën e doktor Bujar Gjikollit, e cila mbanë datën e lëshimit në maj të vitit 1998, vetëm dy muaj pas masakrës së Prekazit. Dyshimi te kjo diplomë ka të bëjë me faktin se ajo është e shkruar dhe vulosur në çirilicë, ndërsa është lëshuar në Nish të Serbisë.
Në diplomën e Bujar Gjikollit të siguruar nga Veriu.info, thuhet se ai është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Nish në vitin akademik 1986/87, ndërsa ka diplomuar tek pas dhjetë vitesh, më 1998.
Pra, në kohën kur studentët kosovar braktisën sistemit arsimor të drejtuar nga njerëzit e Sllobodan Millosheviqit dhe vazhduan studimet nëpër shtëpi private, Bujar Gjikolli, thotë se ka kryer studimet në Nish të Serbisë.
Në konkursin e shpallur para disa javësh për drejtor të klinikës së Radiologjisë, burime të Veriu.info nga QKUK-ja bëjnë të ditur se janë anashkaluar titujt akademik, madje njëri prej kandidatëve është edhe vëlla i dëshmorit.
Kjo për arsye se Bujar Gjikolli është vetëm magjistër i mjekësisë, ndërsa kandidatja Serbeze Kabashi është Prof. Dr. e shkencave të mjekësisë dhe kandidati Arben Kutllovci është doktor i shkencave të mjekësisë.
Burime të Veriu.info nga Radiologjia bëjnë të ditur se doktor Bujar Gjikolli ka marrëdhënie shumë të këqija me stafin në Radiologji, ku me shumicën e tyre privatisht nuk flet./Veriu.info/.