“Varfëria, kafshatë që nuk kapërdihet”. Sa e vërtet kjo shprehje, sa shumë gjen vend në familjen e Makfire Selmanit që jeton në një nga barakat e Bregut të Diellit në Prishtinë, afër shkollës “Ismail Qemaili”. Në mes të Prishtinës, në një nga lagjet ku jeta gjallëron fuqishëm, në një cep të rrugës, në ca baraka ku edhe ca pika shiu shkaktojnë telashe të mëdha, përpëlitet me jetën një familje që duket sikur fati i keq e ka lëshuar pa mëshirë dorën e vetë.
Është natë e madhe, natë Bajrami. Ndërkohë që në disa shtëpi po gatuhen ëmbëlsirat më të shijshme e bashkë me to edhe një mori gjellërash, në barakën ku jeton Makfire Selmani me bashkëshortin e pesë fëmijët ndihet “aromë” vuajtjeje, skamje e mjerimi. Shtrati ku lëngon prej kohësh i shoqi i saj i sëmurë me zemër e diabet ishte bosh për momentin, pasi atë e kishin dërguar në spital pas keqësimit të gjendjes shëndetësore. Skaj shtratit ishte ulur i biri me probleme të theksuara të të pamurit.
Ndonëse jashtë bënte vapë, Makfirja ishte veshur trash, pasi edhe vetë vuan nga disa sëmundje. “E kam harru vetën tu mendu për femijët e për burrin. Unë kam dek për së gjalli”, thotë kjo grua që vuajtja i lexohet në çdo rrudhë. E ulë kokën e pëshpërit: “Mbrëmë s’kam shti gjumë në sy tu mendu për fëmijët që i kam qu te kunata se ma s’kisha çka me iu dhanë me hanger. Mendojsha qysh për Bajram mos me i pas në shpi. E, me i pas çka me iu qit në sofër? Shpirti po më digjet”. Lotët ia ndërpresin fjalët. Në të vërtet, pamjet flasin vetë.
Makfirja nuk është nga ato që dinë të shtiren, ta luajnë të vuajturën. Ajo është e vuajtur. Është e lodhur. Ajo kërkon ndihmë. Ajo është grua e një burri të sëmurë, nënë e fëmijëve që në shkollë shpesh shkojnë bark-zbrazur, e që sa herë bije shi vendbanimi i tyre shndërrohet në pus me ujë që kundërmon erë të keqe. Është gruaja që i mbyll e hapë sytë me friken se mos po vijnë ti nxjerrin nga baraka.
Makfirja, është nëna që në këtë natë Bajrami thotë: “Na ndihmoni pash Zotin”./Nderim Neziri/Kosovarja/
Nr i telefonit te zonjës Makfire: 044 617 686