Ministri i Shëndetësisë, Uram Ismaili ka konfirmuar se këtë javë është kryer me sukses një operacion i komplikuar në QKUK, falë pajisjeve të reja që janë sjellur, ndërsa ka premtuar se së shpejti do të sjellin pajisje të ndryshme.
“Në këtë javë, në Kirurgjinë Torokale dorëzuam një thikë ultrasonografike bipolare në vlerë prej 30 mijë eurosh, e cila ka munguar prej vitesh aty. Dje, kjo pajisje ka qenë vendimtare që 66-vjeçarit nga Prishtina, Bislim Iseni, t’i realizohet një operacion shumë i komplikuar në mushkëri, i cili zgjati 6 orë dhe u krye me sukses të plotë”, ka shkruar Ismaili në Facebook, transmeton Koha.net.
Ai shton se, “një operim i tillë deri më sot u ka kushtuar xhepit të qytetarëve dhe të shtetit, për trajtim jashtë vendit, deri në 30 mijë euro. Përveç kursimit të buxhetit familjar dhe shtetëror, me këtë pajisje, siguria e pacientit dhe stafit të mjekëve ka qenë në nivel të lartë, është shkurtuar koha e operimit dhe është përgjysmuar koha e rehabilitimit të axhës Bislim, pasi që ai nuk ka pasur fare humbje të gjakut, dhe tani është në gjendje të mirë dhe i gatshëm për t’u lëshuar në shtëpi”.
“Në javën që vjen do t’i dorëzojmë edhe disa pajisje të tjera në klinikat tjera, që të shtojmë sigurinë në shërbimet mjekësore, duke i bërë ato sa më cilësore. Transformimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët”, ka shkruar ai.