Njëri nga autorët e raportit të financuar nga organizata e George Sorros, Miladin Kovaçeviq, raport ky që shtjellon për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që është botuar të mërkurën në gazetën “Zëri”, ka pranuar se status quo-ja me Kosovën nuk i konvenon aspak Serbisë.
Raporti prej 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviq, Dushan Gavrlioviq, Dragan Popoviq, Milena B. Stevoviq, Liljana Sekuliq dhe Katarina Stançiq, të cilin e ka botuar “Zëri”, i shtjellon në mënyrë të detajuar dy skenarë për normalizimin e marrëdhënieve: normalizimi i raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, ku përfshihen edhe skenari për shkëmbimin e territoreve, edhe skenari pa shkëmbim të territoreve, por me zbatim të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe skenari i Status Quo-s, i cili nënkupton mosnormalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.
Kovaçeviq ka deklaruar sot për “Tanjug-un” serb se status quo-ja është joproduktive, regresive, madje siç thotë ai, është e rrezikshme për Serbinë. Sipas tij, shkëmbimi i territoreve është zgjidhje, me ç’rast, sipas tij, Serbisë do t’i takonin katër komunat veriore të Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e veriut), ndërsa Kosova vetëm Komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe Medvegjën.
“Ky shkëmbim është absolutisht i mirë për Serbinë”, ka thënë ai. Autorët e këtij raporti kanë vlerësuar se nëse Serbia i merr Komunat veriore, nga potenciali nëntokësor i “Trepçës” në veri do t’i përfitonin 9.6 miliardë euro gjatë tri dekadave të ardhshme, apo 320 milionë euro në vit./ZËRI
©