Fëmiu që erdhi në këtë botë heret në mjes’ gëzoi nanën e përlotur dhe mamitë që ndihmuan rjedhën e lindjes. U gërshetuan vaji i djalit me zërin melodik të mejzinit që dëgjohej nga minareja e xhamisë së qarshisë. Abit aga dhe nusja Xhylzadja ishin të lumtur për foshnjën e shëndetshëm dhe posalindur.
Pra, gjyshi Mehmedaliu lindi ne vitin e largët 1904 dhe ishte brezi i tretë i lindur në qytezën e Vushtrrisë. Asokohe fëmijëria me vëlla dhe motër ishte gazmore dhe pa brenga.
Mehmedaliu ishte disa vite vijues i mejtepit ku mësoi njohuri elementare në shkrim dhe hesap… Ditët e verës dhe me vapë i kalonte me vllezër dhe shokë në brigjet e bukura të lumit Sitnica në qytetin e bukur, në Vushtrri. Mehmedaliu me kalimin e kohës dhe viteve dallohej me zgjuarsi, solidaritet dhe fisnikëri. Kishte shumë dëshirë të kalëronte në rrugicat dhe kalldërmet e pluhrosura në lagjet Bajirxhik, Sharampoll, Mejdanllëk, Karamale etj. Si i ri angazhohej në punët rreth mbjelljeve, kultivimin e pemëve dhe perimeve, korrjes së kulturave, shirrjes, etj.
Mehmedaliu djalosh në të 20-ta, i edukuar në një familje shumëantarëshe, ishte i afërt dhe shoqërohej me familjet e njohura të kohës që jetonin në qytezën e Vushtrrisë, vlen të përmenden familjet Gjinolli, Haxhisalaj, Haxhiu, Berisha, Maxhuni, Kera, Llapashtica, Merovci, Mikullovci, Haxhikadrija, Maxhuni, Shala, Bekteshi, Spahiu, Gashi, Badivuku etj.
Asokohe nga vitet ’20-41 pushtetarët serb me pabesi dhe dredhina të ndryshme nxisnin familjet e njohura të Vushtrrisë të shpërngulen në Turqi. Në gjithë vendin zbatohej terori dhe frikësimi që detyronte qytetarët që me forcë të largohen nga qyteti i Vushtrrisë.
Abit aga, si shumë kryefamilijarë u detyrua nga presioni, dhuna dhe terori të merrte vendimin më të vështirë në jetë. Duhej të shit’te pasurinë familijare dhe të merrte rrugën për Turqi.
Bëri pazaret, por datat e pagesës qëllimisht u shtynin, dhe Abit aga nga frika për familje ja besoi familjen djalit Mehmedaliut që të udhëhiqte deri në tokën e premtuar, në Anadoll të Turqisë. Abit aga, shikoi gruan me mallë, sikur ndjente që ishte takimi i tyre i fundit. Gruaja Xhylzadja si e do zakoni asokohe si rob i zotit pa fjalë me lot në sy la burrin në Vushtrri dhe bashk me familje mori rrugën për Shkup, pastaj në Selanik e nga aty me anije lundruan disa ditë deri në Stamboll nga ku vazhduan për Anadoll. Atje u vendosën dhe pritën me muaj që të ju bashkangjitej kryefamilijari Abit aga. Kaluan disa muaj duke pritë, e mandej Mehmedaliu vendosi dhe morri rrugën e kthimit për Vushtrri.
Aty e priti zhgënjimi më i madh në jetë. Babait (Abitit) ja kishin vjedh tërë pasurinë e fituar nga shitja e tokave, bagëtisë dhe të shtëpisë, e kishin vra dhe zhduk. Askush nuk dinte asgjë. Mehmedaliu nisi hulumtimin…
Një ditë korriku në arat e Abit agës zhvillohej korrja e grurit e në perendim të diellit u ngarkuan 5 qere me drith. Mehmedaliu djalë sypatrembur doli përpara qereve dhe nën kërcënimin me armë urdhëroi që drithin t’a dërgojnë në shtëpin e tij. Riktheu shtëpinë e shitur dhe aty shkarkuan drithin. I porositi arabaxhitë të porosisin zyrtarin komunal dhe mashtruesin serb Zhivko Furtuniq që Mehmedaliu është kthyer dhe vendosë në shtëpinë familijare. Serbi Furtuniqi, ishte blerësi, mashtruesi dhe vrasësi i Abit agës.
Diku në vitet 1930 Mehmedaliu në moshën 26 vjeç u martua me Mevlyden vajzën e bukur të familjes Haxhikadrija dhe ju lindën tri vajza. Vajzën e madhe e pagëzoi me emrin e nanës Xhylzade, të dytën Safete dhe të tretën Ismete. Tre muaj pas lindjes së vajzës së tretë Mehmedaliu u sëmua rëndë. Disa ‘miq’ e sygjeruan të mjekohet në Beograd, që ai fillimisht e refuzoi por për fat të keq më von’ Mehmedaliu i dërmuar nga smundja u bind dhe udhëtoi për shërim në Beograd. Në spital për shkak të neglizhencës nga personeli mjeksor, Mehmedaliu vdiç dhe u varros (viti 1937) diku në Beograd. Ishte fare i njom, vetëm 33 vjeç kur i humbi gjurma.
Gjyshja Mevlyde mbeti besnike ndaj burrit dhe tri vajzave, mbeti e ve në moshën 26 vjeçe dhe jetoi deri në moshën 90 vjeç e rethuar me dashni nga 27 nipa dhe mbesa.
N’përkujtim stërgjyshit, gjyshit dhe gjithë personave të zhdukur.