Pas shumë vitesh përpjekje, patrioti ynë kombëtar, Hasan Prishtina, i është rikthyer qytetit të lindjes, Vushtrrisë, me shtatore në bronz, por jo edhe eshtrat e tij.
Tani kur në opinion janë krijuar disa dilema se ku duhet të vendosen eshtrat e tij pas rrivarrosjes në Prishtinë apo Vushtrri?, si qytetar i Komunës së Vushtrrisë ftoj Asamblenë Komunale në Vushtrri, kryetarin, nënkryetarin, të gjitha partitë politike, familjet e dëshmorëve, familjet e personave të pagjetur, familjet e martirëve, nxënës e mësimdhënës, veteranë/e të arsimit, pensionistë, bujq, të burgosur politik, shoqërinë civile dhe gjithë qytetarët e Vushtrrisë që sa më parë të punojmë së bashku, që eshtrat e patriotit tonë Hasan Prishtina të rivarrosen nga Kukësi, ku janë tani dhe të kthehen në Vushtrri.
Po ashtu propozoj që eshtrat-varri i tij të vendoset në Sheshin “Hasan Prishtina”, ku tani gjendet ndërtesa e vjetër e Komunës. Vushtrria si qytet identifikohet me Hasan Prishtinën dhe eshtrat e tij duhet të pushojnë vetën aty ku edhe lindi.
“Kthimi i eshtrave të Hasan Prishtinës në vendin e tij të lindjes (Vushtrri), mund të jetë vetëm çështje kohe, pasi që në këtë drejtim do ta keni përkrahjen tonë të pa rezervë”, kishin deklaruar kohë më parë autoritete nga Kukësi i Shqipërisë, por që ende një gjë e tillë edhe sot e kësaj dite nuk ka ndodhur.
Për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës, tashmë si tradicionalisht çdo vit, Vushtrria frymon me veprën e këtij patrioti me përmasa gjithëkombëtare, ku mbahet manifestimi tradicional, “Ditët e Hasan Prishtinës”, ku për një javë rresht zhvillohen aktivitete të shumta kulturore dhe shkencore si dhe ndahet “Çmimi Hasan Prishtina”, ku sivjet kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ia ka ndarë solemnisht këtë çmim Heroit të Kosovës, Enver Zymberit.
E shkroi: MA. Hajdin Islami, Vushtrri