itologjia skënderiane e studiuesit Dhosi Liperi pasqyron një epokë historike të gjatë. Mishëron gjithashtu dhe përpjekjet e pandërprera të shqiptarëve për liri. Pajton elementet fetare heterogjene dhe armiqësore të tyre dhe shfaqet kështu si pioniere e bashkimit kombëtar.
Adhurimi i popullit ndaj Skënderbeut s’ka kufi. Ka ardhur nga dashuria e besimi i madh i tij dhe ka përfunduar në hyjnizim. Kemi prova të gjalla, të cilat i kanë përjetësuar gjer më sot disa adhuronjës të mëdhenj të Atij (Mitol.Skënder. f. 505). Hyjnizimi i Skënderbeut, i motivuar prej dashurisë së pakufishme e besimit të jashtëzakonshëm të popullit tonë dhe i arritur pas vdekjes së tij, i dha krahë aspiratës së madhe kombëtare të çlirimit(MSk. 505). Skënderbeu është luftëtar i madh me famë të përbotëshme, po legjendat popullore, për fat të keq, ja kanë çveshur këtë tipar të lavdishëm, për shkak të shtypjes së rëndë që ushtruan turqit e të disfatave të mëdha që pësuan shqiptarët nga kryengritjet e tyre të pandërprera. Këtij fenomeni i dha shumë dorë dhe myslimanizimi në masë i popullsisë së Shqipërisë së Mesme, ku Ai zhvilloi vepra të përbindëshme: Cok si Mozeu, profeti i madh i Biblës, i mitologjisë biblike, i zë ujrat e Drinit, e bën lumin det dhe e ndalon armikun; e gjithashtu dhe në malin Skandërbeg përmbi Vinjoll, i bie shkëmbit me shpatë e nxier ujë për të pirë ushtria e tij – Atë burim që quhet “Gurra e Skandërbegut” e tregon me venerim populli edhe sot, – dhe si ndonjë titan i mitologjisë klasike, e lëkund prej themeli malin e Bulqizës në Dibër dhe nga ajo lëkundje bien ata gurë, që shtrihen pak më poshtë minierës e quhen edhe sot me emrin “Gurët e Skandërbegut” – madje do ta rroposte fare malin, sikur të mos ia kishte mbajtur duart një i dashëm i Allahut. (M.Sk. f.508).
Mitologjia SkenderianeShehu i Lumës në vitin 1956 më tha me admirim dhe besim të madh tekstualisht: Armiku po e mësynte Skënderbeun nga ana e Lumës e do ta prishte, por Ky iu lut Zotit dhe Zoti i dha fuqi e Skënderbeu i ndaloi me një napë ujrat e Drinit. Drini u bë det dhe armiku s’mundi të kapërcente (MSk.583). Malësorët tanë katolikë të Shqipërisë së Mesme, në përgjithësi, nuk kundërshtojnë ç’thonë vëllezërit e tyre musulmanë që Ai ka prerë shkëmbënj me shpatë, ka zënë ujrat e Drinit e ka bërë dhe mrekulli të tjera, si evlia i madh i Allahut; gjithashtu dhe musulmanët, besimtarë të Atij, nuk mohojnë që është bekuar edhe prej Zojës së Bekueme. Kujtimi i tij për të dy palët është nyj’e fortë bashkimi (MSk. 490).
Legjendat popullore mbi Skënderbenë, si mendoj unë kanë filluar të krijohen qysh me gjalljen e Atij, po janë ndryshuar gjatë kohës e tiparin që kanë sot e kanë marrë pas gjysmës së parë të shekullit të 17-të kur filluan të myslimanizohen në masë shqiptarët, siç e thamë dhe më lart. Këta që përbëjnë shumicën absolute të banorëve të Shqipërisë Mesme. Këta megjithëse e ndruan fenë – të cilën kryesisht, drejtazi a zhdrejtazi, ua imponoi sundonjësi, i huaj, me qëllim që t’i asgjësonte e t’i turqizonte – nuk hoqën dorë kurrsesi nga ndjenjat e tyre për liri as nga kujtimi i prijësit të tyre, të Skënderbeut; Fatosin vetëm e myslimanizuan si vehten e tyre, e bënë madje dhe evlia të madh të Allahut, po lidhjen e qëndrimin e tyre të parë ndaj tij s’e ndruan në asnjë mënyrë; e mbajtën Atë me ngulm për hero kombëtar e për prijës e frymëzonjës ideal të lirisë e të kombësisë shqiptare; Ai tani do t’i mbrojë si një i dashëm i madh i Allahut e do t’u sjellë lirinë. Dhe në këtë fakt atyre shqiptarëve u takon një meritë e madhe patriotike, e cila është shumë vështirë të gjëndet në kombe të tjerë me fe antagoniste e qytetërime të përkundërtë. Skënderbeu për të parët tanë ka qënë promotori i lëvizjeve dhe kryengritjeve të tyre për liri; varri e shpata e tij kanë ushqyer aspiratat e tyre kombëtare; ato kanë shërbyer dhe si nyjë bashkimi e të robëruarvet, që ishin ndarë në dy fe të ndryshme dhe antagoniste, se Kreshniku është për të dy palët hero kombëtar i përbashkët, i madh dhe i adhuruar. Dhe për të gjitha këto kemi prova të gjalla prej folklorit të Shqipërisë së Mesme, ku janë krijuar legjendat. Unë i njoh mirë legjendat se qysh prej vitit 1929 e këtej kam vallakuar (shëtitur) nëpër malësi të ndryshme të kësaj treve, apostafat për studimin e tyre dhe i kam dëgjuar prej burrash të vjetër, të cilët i besonin me gjithë mënt, cok si ajete të Kuranit (MSk.510). Malësorët myslimanë të Krujës, Matit e të Dibrës e pjesërisht dhe ata të malësive të tjera të Shqipërisë Mesme, jo vetëm që s’hoqën dorë nga kujtimi i prijësit Skënderbe, por, për të fituar lirin’e tyre, e për hir të saj, e kanë lënë mënjanë fenë e janë bashkuar me popujt e krishterë të Evropës që kanë luftuar kundër Turqisë. Përqindja më e madhe e myslimanëve është në Shqipërinë e Mesme, se në malësit’e Veriut e mbrojtën fenë katolikët e në Jugë ka shumicë ortodoksësh. Në Shqipërinë e Mesme prej Shkumbinit gjer ne Drinin e Bashkuar të heqësh Mirditën.
Mirdita shpëtoi nga myslimanizimi se nuk i interesonte Turqisë se fitoi vetëqeverimin dhe se u paraqit si partizane e Lek Dukagjinit, i cili nga gojëdhanat popullore paraqitet si kundërshtar i Skënderbeut. Me anën e kompaktësisë fetare ruajti vetëqeverimin e saj.
Kështu pjesa musulmane e Krujës, Matit, Dibrës dhe malësive të Tiranës e të Elbasanit e përvehtuan Skënderbenë. Skënderbeu i myslimanizuar së dyti – Skënderbeu q’u rimyslimanizua mbeti një Evlia, i cili prapëseprapë qëndron kreshnik i madh shqiptar dhe e mbron lirin’e popullit të tij (MSk.494). Skënderbeu paraqitet si ndonjë titan i fuqishëm. Por më fort përfytyrohet si evlia i madh e me fuqinë e Zotit kryen gjeste të përbindëshme: Me pushtet të madh që ka prej Zotit, nëm (mallkon) e nomatis, bekon e profetizon dhe fjala e tij zë aty-për-aty e ka efekt të madh. Nëmat, që u ka dhënë tradhëtarëvet të tij, janë të kobëshme e rëndojnë dhe sot e kësaj dite mbi fiset e atyre njerëzve të pabesë. Me nomatisjen e tij i kthen në gurë arkat me pare (në Selishtë të Dibrës) dhe e përbeton tokën (në Qafën e Shenepremtes të Bulqizës) që t’ja ruajë armët (MSk.655).
Legjendat janë të ndryshme për krahina të ndryshme. Po gjithë kjo larushi tregimesh nuk e cënon unitetin e legjendave popullore mbi Skënderbeun; përkundrazi e forcon këtë, se fshatarët, me gjithë grindjet që kanë patur ndërmjet tyre e me gjithë armiqësit’e një krahine kundër tjetrës për shkak të regjimeve antipopullorë, ata ndaj Skënderbeut kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për një kohë shumë të gjatë; me shekuj, që nga fillimi i sundimit turk e gjer më sot e kanë patur një pikëpamje për të, kanë ushqyer njato ndjenja e kanë varur njato shpresa, kanë patur pikpamje të njëjtë, me shpresë të plotë se do të vijë dita që të lirohen e të bashkohen nënë hijen e tij (MSk.659).
Mitologjia skënderiane pasqyron një epokë historike të gjatë, atë të robërisë turke, e vë në dukje efektet e kobëshme të saj: mishëron gjithashtu dhe përpjekjet e pandërprera të shqiptarëvet për liri. Pajton elementet fetare heterogjene dhe armiqësore të këtyre e del kështu pioniere e bashkimit kombëtar. Shpreh dhe aspiratat e tyre shekullore të çlirimit. Heroi i saj, në raste të ndryshëm, përfytyrohet si mesias e qëndron kurdoherë promotori i lëvizjeve nacionaliste. Kështu ne me anën e mitologjisë skënderiane hyjmë në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturën e përbotëshme dhe i japim kësaj një kontribut të madh. Bëjmë të njohur dhe geniun arbëror (MSk. 663).
Në cilin popull tjetër, legjendat popullore, kushtuar një heroi kombëtar, janë bërë nyje bashkimi e elementeve fetarë antagonistë të tij në luftëra të pandërprera për liri, si në popullin tonë me Skënderbeun në krye?
Legjendat tona popullore, gjatë shekujvet të 18-të e të 19-të, kanë pajtuar myslimanizmin me kristianizmin, në sajë të kujtimit e të adhurimit që ushqen populli ndaj Skënderbeut; në cilin popull tjetër është realizuar një fenomen i këtillë? (MSk. 485). Populli shqiptar, i cili, për shkak të prapakthesës së thellë të rendit shoqëror të tij, përfundoi në një rënie të tmerëshme ekonomike, shoqërore e kulturale, në ato kohë rebeshesh të mëdhenj nuk dinte kurgjë nga bëmet e botës klasike e biblike, as nuk ishte katekizuar në dogmatizmin islamik; e pra mitologjinë skënderiane e krijoi prej gjeniut të vet. Nga feja myslimane, e cila më fort i u imponua prej pushtonjësit me forcë, mori vetëm disa gjëra të jashtësme e të përgjithëshme: myslimanizoi Kreshnikun, ndonëse kishte vdekur prej kohe dhe, e ndroi fytyrën e tij nga shënjt në evlia, që të mos e shkëputte lidhjen me të. Në themel ai, i shtytur prej një farë instikti natyror, shkeli në ato pozita, ku qëndruan para mijrave vjetësh popujt më idealistë të botës, grekët e vjetër e judenjtë, dhe arriti si ata në rezultate të shkëlqyera. Këtu qëndron merita e saj e lartë, e cila, po të dalë në pah, i kalon tej-përtej kufitë e ngushta të Shqipërisë e merr një rëndësi të madhe dhe për epikën e letërsisë së përbotëshme. Ta studjojmë pra, e, duke hyrë thellë në esencën e saj, ta ngrejmë në këmbë e t’ja tregojmë botës mbarë. E kemi për detyrë patriotike, se ajo do të na nderojë fort (MSk.662).
Në shekullin e XV, kur Turqia pushtoi Ballkanin dhe po i kërcënohej gjithë Evropës, urrejtja e evropianëve ishte e madhe kundër invadorëvet që shtypnin egërsisht jo vetëm rendin politiko-ekonomik e shoqëror të popujve të krishterë po dhe fenë e tyre. U ngjall dhe fanatizmi fetar. Ky fanatizëm i ushqyer nga urrejtja, kuptohet se u ndez më i keq ndaj arbërorëvet, të cilët me Skënderbeun në krye, luftonin për jetë a për vdekje, dhe është njëri nga sekretet e fitoreve të Skënderbeut. – Këtu duhet të vëmë në dukje urtësinë e madhe të prijësit gjenial, i cili dijti të sillej si jo më mirë me një pakicë, që kishin përqafuar qysh më parë fenë islame, e tani banorë të shtetit të tij. Ç’kanë këta pronja çi shungojnë. – Parulla “për atdhenë e për fenë” u bë kushtrim e mobilizoi masat popullore, jo vetëm kundër Turqisë, por dhe kundër myslimanizmit, që u bë aleati më i fortë e më besnik i tyre dhe u shërbeu pa rezerva për zhdukjen e fesë së krishterë. Në ato kohë mesjetare feja ishte shum’e shtrënjtë e prandaj Skënderbeu, kur u kthye në Shqipëri e filloi luftrat e tij të rrepta kundër turqëvet, u përshëndet si çlirimtar, e u njojt si mbrojtës i madh i krishtërimit prej popujve të Ballkanit e të Evropës mbarë. Vetë Papa e ka bekuar….. Këngë të ndryshme epike, ku spikatte dhe motivi fetar iu kushtuan e iu kënduan Atij qysh në fillim dhe gjatë fitoreve të tij të më parëshme jo vetëm brënda po dhe jashtë Shqipërisë. U krijuan dhe legjenda. Ndër legjendat e Shqipërisë përmëndeshin sigurisht dhe kensi të mbinatyrëshme kristianike. Figura e Skënderbeut për shëmbëll është sosur gjer në ditët tona. Për këtë fenomen kemi provë bindëse krijimin e mëvonshëm të kënsive të mbinatyrëshme musulmane, evliajtë, Hizri, të dashmit e Allahut (MSk. 496).
Çdo fshatar, që i ka dëgjuar emrin prej të vjetërish, ja ekzalton meritat e larta, vënjesën (vlerën) e tij të pashoqe e pikëzon bukur edhe Rahman Rasha, një plak i moçëm nga Lashkiza e Dibrës, kështu: (Tekstualisht). Skandërbegju ka bae luftë në Kalan’e Çanit e ven-më-ven e kan-më-kan në Mat, në Dibër e në Krue. Si Skandërbegju s’vjen ma; ç’aq trem ka çanë. Skandërbegju ka çanë Evlia me vepra e s’un e kapte kush. Nja Skandërbegj ka çanë, s’gjen ma tjetër. Kalan’e Çanit Skandërbegju nuk e ka nreçë vetë, por e ka xhetë ka kauri. Dhe fjala e Rahman Rashës ka rëndësi, se ky njeri ka qënë bylykbash, që prej kohës së Turqisë e gjer në çlirimin e Shqipërisë, dhe i njeh mirë punët e vjetra të malësive tona. Bylykbashët kryesonin dhe udhëhiqnin çetat që merreshin me pré dhe grabitjen e kishin mjet jetese dhe akt zotësie.
Dhe fjalamani Ali Zejneli, duke çmuar zotësin’e tij si politikan i zoti, na çudit kur na thotë: (Tekstualisht) “Shtatë herë kaur e shtatë herë turk asht bao Skandërbegju!” Me këto fjalë malësori spirituoz don të na mbushi mëndjen se Ai, për të mbrojtur lirin’e Shqipërisë, synonte kurdoherë bashkimin e popullit e pra s’bënte asfare dallime fetare; madje fenë s’e kishte për gjë. (MSk.473).