Dr. Tim Elmore, ekspert mbi karrierën dhe autori i bestsellerëve psikologjikë ka zbuluar disa gabime në sjelljet e prindërve teksa rrisin fëmijët e tyre, duke u reduktuar vetëbesimin që në moshë të vogël dhe duke limituar shanset që këta fëmijë të bëhen të suksesshëm në karrierë dhe në jetën private.
Për të shmangur këto gabime, ne po ju shpjegojmë disa prej tyre:
Prindërit nuk i lënë fëmijët të rrezikojnë
Ne jetojmë në një botë ku rreziku troket çdo ditë në derë dhe dashuria e madhe që prindërit kanë për fëmijët e tyre, bën që këta të fundit të mbrohen gjithmonë nga rreziqet që mund të hasin në mosha të ndryshme. Psikologët në Europë kanë zbuluar se nëse një fëmijë nuk lejohet të luajë jashtë dhe kurrë nuk i jepet mundësia të ketë një të gërvishtur në gju si pasojë e rrëzimit, bëhet fobi kur rritet. Fëmijët duhet të rrëzohen disa herë për të kuptuar se është normale, kurse adoleshentët duhet të ndahen të paktën një herë nga e dashura apo i dashuri për të kuptuar vlerën emocionale të një lidhjeje. Pra, nëse prindërit e privojnë fëmijën nga rreziku atëherë ata po rrisin dikë me vetëbesim të ulët dhe me arrogancë të lartë.
2. Prindërit i “shpëtojnë” fëmijët shumë shpejt
Brezi i sotëm është “i varfër” në zhvillimin e disa aftësive që brezi i 30 viteve më parë i kishte përvetësuar në maksimum. Pse? Sepse prindërit nuk i kanë lejuar fëmijët të rrezikojnë dhe në rastet kur fëmijët kanë rrezikuar, ata i kanë nxjerrë nga situata shumë shpejt. Kur ne i nxjerrim nga situata e rrethana të ndryshme shumë shpejt, atëherë ne u heqim mundësinë për t’u munduar e për t’i zgjidhur problemet në mënyrën e tyre. Kjo i bën që të rriten me idenë se dikush tjetër do të vijë për “të shpëtuar anijen që po mbytet”. “Nëse rrëzohem, një i rritur do të vijë të më shpëtojë” – është kjo fjalia që fëmijët mendojnë kur rriten. Pra, shumë ndryshe nga realiteti.
3. Prindërit i llastojnë shumë fëmijët
Fëmija yt nuk supozohet të të dojë gjithmonë, në çdo minutë e sekondë. Ata do t’ia hedhin paq zhgënjimit, por efekteve të llastimit jo. Prandaj thojuni “Jo” apo “Jo tani” dhe lejojini të luftojnë për të arritur atë që duan. Zakonisht, prindërit priren t’i japin fëmijës atë që ai do, edhe kur kanë më shumë se një fëmijë. Por gabimi më i madh ndodh kur prindërit u japin të gjithë fëmijëve atë që duan, pavarësisht se ç’kanë bërë për ta arritur. Kjo është e gabuar, sepse fëmijët mësohen me idenë se shpërblimi nuk vjen në bazë të punës apo vullnetit për të arritur atë që duan. Dhe nëse marrëdhënia me fëmijët bazohet në materiale, atëherë ata herët apo vonë do të vuajnë nga mungesa e motivimit apo nga mungesa e dashurisë pa kushte.
4. Prindërit ngatërrojnë inteligjencën dhe talentin me pjekurinë
Inteligjenca shpesh ngatërrohet me pjekurinë e fëmijës dhe si rezultat, prindërit e konsiderojnë një fëmijë inteligjent gati për t’u përballur me botën. Por kjo është e gabuar. Shumë sportistë dhe yje Hollivudit, super të talentuar, bëhen pjesë e skandaleve nga më të ndryshme. Kjo sepse talenti i tyre është vetëm në një fushë të caktuar dhe jo në të gjitha aspektet e personalitetit. Domethënë, nëse fëmija juaj është i talentuar nuk do të thotë që është gati të dalë në jetë dhe të arrijë suksesin i vetëm.
5. Prindërit nuk vënë në praktikë atë që “predikojnë”
Përgjegjësia e prindërve është t’u japin fëmijëve modelin që duhet të ndjekin. Nëse prindërit do të mund të silleshin ashtu siç ata u thonë fëmijëve, atëherë fëmijët do ta kishin më të thjeshtë të ecnin në një rrugë “të drejtë”. Fillojeni me ndershmërinë nëse doni që fëmijët të jenë liderë të së ardhmes. Dhe më pas vazhdoni me disa cilësi pozitive që do të donit t’i ngulisni mirë në personalitetin e fëmijës. Kjo do t’i bëjë ata që të jenë me këmbë në tokë për atë që duan të arrijnë apo të jenë.