Zëvendëspresidenti i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që ta shkarkojë Gjergj Dedajn nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
Bahtiri thekson se Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës.
“Në cilësinë e zëvendëspresidentit të AKR-së, parti e cila gjithmonë ka nxitur marrëdhënie të shkëlqyera me partnerë dhe aleatë, e posaçërisht me ata të cilët gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejtë lirisë e pavarësisë dhe shtet-ndërtimit e zhvillimit ekonomik pas lufte përmes investimeve të shumta, si dhe kanë lobuar fuqishëm për njohjen e Republikës së Kosovës, nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj, kërkoj që në mënyrë urgjente z. Gjergj Dedaj të shkarkohet nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ai thekson se Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës.
“Andaj, duke mos dashur që heshtja ndaj deklaratave të papranueshme të Dedaj, të kuptohet si pajtim me atë që ai ka thënë, kërkoj nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që ta shkarkoj z. Dedaj nga të gjitha funksionet në institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, pasi që mendoj se ky veprim do të mirëpritej nga qytetarët e vendit, të pakënaqur me deklaratat e tij të fundit, por edhe nga shtetet mike që kanë bërë shumë për Kosovën”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/.