Nipi i komandantit të UÇK-së, ka folur rreth dilemave për ditëlindjen e Adem Jasharit. Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari në një intervistë për KosovaPress ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj institucioneve shtetërore për të cilat tha se nuk reaguan rreth këtij debati. Ndërsa deklarimin e analistit Nexhmedin Spahiu e quan absurd dhe të porositur.
Ai thotë se një debat i tillë u bë për të zhvendosur vëmendjen nga tema e listave të veteranëve të UÇK-së.
28 Nëntori në Kosovë nuk shënon vetëm festën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditëlindjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.
Çdo 28 nëntor, nën atmosferën e flamujve kuq e zi dhe këngëve patriotike kushtuar rezistencës së familjes Jashari të bërë në luftën kundër okupatorit serb, festohet ditëlindja e Adem Jasharit.
Në Kosovë, kjo datë e lindjes ishte temë debati javën që shkoi. U shtrua pyetja se a lindi Adem Jashari më 28 nëntor apo më 10 tetor të vitit 1955.
Analisti Nexhmedin Spahiu ishte ai që pyeti se “kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit nga 10.10.1955 në 28.11.1955”.
Për këtë temë KosovaPress ka pyetur Bekim Jasharin, nipin e komandantit Adem Jashari, i cili edhe udhëheq me komunën e Skenderajt.
Sipas Jasharit, ngritja e një temë të tillë ngjallë dyshime dhe e njëjta mund të jetë bërë për të zhvendosur vëmendjen nga tema me veteranët e UÇK-së.
“Një njeri siç e thashë që bëri një kthesë historike, edhe qohet ai e zhvendos vëmendjen me këtë temë, me zhvendos vëmendjen nga një çështje shumë e ndjeshme siç është çështja e veteranëve, kjo është e gatune, e porositun qysh ka ndodhë edhe shumë raste më herët në momente të caktuara, situata të vështira të popullit tonë, dikush me dalë me shpik diçka që me humb debatin”, thotë ai.
Krejt këtë situatë të krijuar në këto ditë të fundit rreth debatit të ditëlindjes së Adem Jasharit, kryetari i Skenderajt e quan absurde. Tutje, ai shpreh zhgënjimin e tij me institucionet e shtetit, që siç thotë Jashari, nuk ngritën zërin për të mbrojtur këtë temë.
“Është absurditet në vete dhe mos të them, por është ndoshta një e fjetur e organizatave të luftës, por edhe e qeverisë tonë sepse të gjithë edhe zyrtarisht deklarohen komandanti legjendar dhe nuk dul kush me e ngritë zanin në mënyrë institucionale, me mbrojt këtë temë, është dashtë me u marrë vet familja”, tha ai.
Debatin për ditëlindjen e komandantit të UÇK-së për datën e lindjes së tij, Bekim Jashari po e konsideron ofendues.
“Patjetër, nuk e di ku ka nivel më të ulët me shku kjo punë. Nexhmedin Spahiu e sheh në libër një datëlindje tjetër të Adem Jasharit edhe qohet e ngjallë dilema, reagime te qytetarët pa e thirr as familjen me konfirmu, pa ardh as në gjendje civile me vërtetu e hulumtu, edhe i thotë vetes analist, gazetar, profesor. Për mua është niveli ma i ultë i njerëzimit që ka mund me ndodhë prej se që jam bërë me mbajt në mend”, thotë ai.
Pas shkrimit të analistit Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se ditëlindja e Adem Jasharit ishte falsifikuar, Bekim Jashari publikoi certifikatën e vdekjes së komandantit, ku shihet data 28 nëntor 1955.
Gjithashtu, dokumentet identifikuese të Republikës Federale të Jugosllavisë fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit të lindjes. Kështu, numri personal i Adem Jasharit, sipas të dhënave që janë në dispozicion edhe publikisht, ishte 2811955924008.
Në dokumentet e publikuara të Bekim Jasharit po ashtu është bërë publike se Adem Jashari, fillimisht e kishte emrin Fazli./telegrafi