Duke raportuar për aksionin e sotshëm të Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit, me ç’rast u arrestuan pesë persona me përkatësi kombëtare serbe me dyshimin për përfshirje “në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, RTV Plus, në gjuhën serbe, njofton se në fshatin Kufcë e Epërme policia ka arrestuar shefin e të ashtuquajturit Qarku Anamoravës së Kosovës, Radovan Stojkoviqin, dhe drejtorin e degës së Shërbimit Kombëtar të Serbisë për Punësim, Jovan Deniq, si dhe Nenad Stojanoviqin, i punësuar në Ushtrinë e Serbisë, meqë ka ushtruar presion ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së që të braktisin shërbimin.
Ndërkohë, RTS njofton se ndër të arrestuar janë edhe Predrag dhe Aleksandar Gjorgjeviq nga fshati Berivojcë të Kamenicës, transmeton Koha.net.
Në Kufcën e Epërme deri kohë më parë kanë punuar rreth pesëdhjetë pjesëtarë të FSK-së të nacionalitetit serb dhe që të gjithë kanë dhënë dorëheqje, shkruajnë medait serbe./Veriu.info/.