“Për sa i përket vrasjes së Hasan Bej Prishtinës mësojmë gjithashtu se porositësi i këtij atentati paska qenë vetë mbreti Zog e se porositësit e drejtpërdrejtë janë kujdesur që të zgjedhin vrasësin midis partizanëve të tyre shqiptarë nënshtetas jugosllavë për t’u dhënë të gjithëve dyshimet e një baze tjetër”, thuhet në dokumentet italiane.
Arkivi Qendror i Shtetit Italian
Ministria e Brendshme
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike
Departamenti i Policisë Politike
Prishtina Hasan
Romë, 26 gusht 1933
Si konfirmim i asaj që kemi komunikuar për dërguesit e vrasjes së refugjatit politik shqiptar Hasan Bej Prishtina rezulton se refugjatët politikë të Zarës u informuan se vrasësit që vinin nga Tirana për të vrarë refugjatët shoqëroheshin nga adjutanti personal i Mbretit Zog, Muharem Bajraktari, e nga serbofili i njohur zogist Fiqri Dino, të cilët mbuluan vetë vrasësit në çastin e zbarkimit të tyre në Itali. Refugjatët politikë shqiptarë të të gjitha tendencave ankohen se shtypi italian nuk është marrë me personin e Prishtinës, i cili ishte gjithnjë një italofil luajal dhe se, kur është marrë, e ka bërë duke marrë lajme nga gazetat franceze që për këtë rast kanë botuar komunikata me frymëzim të dukshëm jugosllav. Për këtë pikë citojnë shkrimin e sjellë nga “Petit Parisiene” të Parisit, nga gazeta “Regjimi fashist” i Kremonës që e përkufizon Prishtinën si jugosllav.
Romë, 21 gusht 1933
Vrasja e fundit e një refugjati shqiptar në Selanik ma dha rastin të sqaroj se, edhe në Itali, paskan ardhur ose duhet të vijnë së shpejti vrasës të ngarkuar që të kryejnë hakmarrje të njëjtë kundër refugjatëve rezidentë në Mbretëri.
Midis këtyre vrasësve qenkan edhe oficerë të ushtrisë së rregullt shqiptare e deri edhe një përfaqësues diplomatik, njëfarë Çatin Saraçi, konsull o zv.konsull karriere që paska mbuluar për njëfarë kohe këtë post në Vjenë. Ai qenka shumë i njohur në mjediset shqiptare dhe shkon shpesh në Romë.
Romë, 21 gusht 1933
Duke iu referuar lajmit të dhënë kohë më parë (d.m.th. që Çatin Saraçi, konsull i përgjithshëm shqiptar në Vjenë, është njeriu që ka besimin më të madh te mbreti Zog) mësojmë se të shtunën e kaluar Çatin Saraçi ishte kalimthi në Romë duke shkuar për në Tiranë. Në të njëjtën ditë kur ndodhi vrasja e Hasan Bej Prishtinës mbreti Zog ka thirrur me urgjencë Çatin Saraçin që efektivisht u nis menjëherë nga Vjena.
Për sa i përket vrasjes së Hasan Bej Prishtinës mësojmë gjithashtu se porositësi i këtij atentati paska qenë vetë mbreti Zog e se porositësit e drejtpërdrejtë janë kujdesur që të zgjedhin vrasësin midis partizanëve të tyre shqiptarë nënshtetas jugosllavë për t’u dhënë të gjithëve dyshimet e një baze tjetër.
Hasan Bej Prishtina e kishte transferuar prej kohësh drejtorinë e gazetës së tij nga Kostanca në Selanik e saktësisht më afër kufirit shqiptar për ta bërë propagandën e tij më efikase.
Mbreti e konsideronte qëndrimin e Hasan Bej Prishtinës afër kufirit si rrezik të vërtetë.
Thirrja e menjëhershme e Çatin Saraçit mund të ishte në lidhje me situatën e re të krijuar pas vdekjes së Hasanit midis refugjatëve shqiptarë.
Vjenë, 19 gusht 1933
Vrasja e Prishtinës ka bërë lokalisht shumë efekt, ngaqë siç është njoftuar, vrasësi i tij e ka kërkuar këtu. Prishtina nuk shihej mirë këtu dhe ai duhej të falënderonte ndërhyrjen e dr. Funder, kryeredaktor të “Reichspost” dhe ndërhyrjen e Ministrit Fey nëse ai mundi të qëndrojë këtu 14 ditë.
Romë, 19 gusht 1933
Legata lokale e Shqipërisë, që ka pasur kontakte me shqiptarin Çatin Saraçi gjatë qëndrimit të këtij individi në Romë, kishte përgatitur, para se Agjencia Telegrafike Shqiptare të shpërndante të vetën, një deklaratë për shtypin italian duke njoftuar se vrasja e Hasan Bej Prishtinës ishte jugosllave. Është e kuptueshme lehtësisht se kjo komunikatë ishte këshilluar nga vetë Saraçi.
Nga informacione të mëtejshme mund të siguroj se Saraçi, pyetjes së drejtuar nga Kodelj për vendin nga vinte, iu përgjigj në prani të dëshmitarëve shumë reticentë, por foli për udhëtimin nga Fiume (Rijekë) në Trieste dhe për atë nga Venecia në Romë duke lënë të kuptohej se ai vinte nga Jugosllavia.
Është vërtetuar gjithashtu se vrasësi i Prishtinës ka qenë në kontakt me Saraçin në Nicë e pastaj në Austri e këtë ai ia ka treguar në konfidencë regjimit shqiptar që përveç kënaqësisë intime, ka dashur t’i japë Jugosllavisë një provë për lidhjen duke ia hequr qafe një element shqiptar që më shumë se të gjithë i jepte bezdi në kontekstet ndërkombëtare, e veçanërisht Lidhjes së Kombeve diktaturës së Beogradit duke paraqitur nota kundër shtypjes serbe të territoreve shqiptare irridente të Kosovës.
Prishtina figuronte për regjimin shqiptar si një mjet i Italisë dhe i Hungarisë që, gjithnjë sipas Tiranës, e mbanin si rezervë si ministër të mundshëm të Punëve të Jashtme të vendit të tij.
Çatin Saraçi duhej të kthehej urgjentisht në Tiranë e dukej i shqetësuar që ta arrinte atë shtet për të marrë shpërblimin e premtuar për veprën e tij.
Për të mirinformuarit nga refugjatët politikë shqiptarë bëhet me insistim emri i Shefqet Bej Vërlacit, ish-kryetar i Këshillit të Ministrave, si një nga të caktuarit për t’u eliminuar nga vrasësit e Tiranës, sepse konsiderohet mik i ngushtë i qeverisë fashiste.
Ministria e Brendshme
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike
Seksioni i tretë n. 443/63680
Të nderuarit Departament të policisë Politike
(në lidhje me shënimin n. 500/20664 të datës 15 të këtij muaji me lutjen që të interesoni informatorin që të japë saktësime për qëndrimin në Romë të Hasan Bej Prishtinës duke komunikuar me cilët persona ai ka pasur kontakte)
Kopje e telegramit 23 korrik 1933 n. 7436 ardhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme
Lënda: Hasan Bej Prishtina
Telegrami i V.E. 20 të këtij muaji n. 443/62942
Lutemi të na bëni me dije nëse kësaj Ministrie i rezulton se Hasan Bej Prishtina ka qenë efektivisht në Romë në këto kohët e fundit e, në rast të tillë, me cilët persona ka qenë në kontakt.
Faralli
24 korrik 1933
Ministria e Brendshme
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Publike
Seksioni i tretë n. 443/62942
Të nderuarit Departament të policisë Politike
në lidhje me shënimin n. 500/20664 të datës 15 korrim 1933
Kopje e telegramit me dorë nr. 5905 të datës 16? 1933 ardhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zyra Shqipëria si:
Lënda: Hasan Bej Prishtina
Në ditët e ardhshme një refugjat i njohur shqiptar Hasan Bej Prishtina, në ardhje nga Vjena, nëpërmjet Triestes, do të shkojë në Zara për t’u takuar me Dervish Bej Mitrovicën; do të qëndrojë tre ose katër ditë për të vijuar më pas drejt Greqisë me aeroplan nëpërmjet Zara-Brindizit.
Duke pasur parasysh misionin e tij, do të ishte e duhur që Hasan Bej Prishtina, i pajisur me pasaportë të rregullt të lëshuar nga Prefektura e Stambollit, të mos i nënshtrohej asnjë mase survejimi.
Firmosur Aloisi
Romë, më 20 korrik 1933
Drejtori Shef i Departamentit A.G.R.
Romë, 27 qershor 1933
Rezulton në mënyrë të qartë se Legata vendore e Shqipërisë është informuar për praninë në Romë të refugjatit Hasan Bej Prishtina. Rezulton gjithashtu se zyra e lartcituar diplomatike ka informuar për këtë fakt Qeverinë e Tiranës duke vënë në lidhje praninë bashkëkohore në kryeqytetin tonë të Prishtinës me një të besuar të njohur italian, rezident në kryeqytetin austriak.
Legata e lartcituar shqiptare po bën në këtë moment hetime për të zbuluar arsyet e ardhjes në Romë të refugjatit politik të vendit të tij që ajo beson se është në marrëdhënie të mira me qarqe politike italiane.
Departamenti i Policisë Politike
Shënim për Departamentin e nderuar të Punëve të Përgjithshme e të Rezervuara
1.508
Romë, 30 gusht 1932
I transmetohet këtij departamenti të nderuar shënimi bashkëlidhur informativ që ka mbërritur nga burime konfidenciale.
(Me lutjen që të mos bëhen kontrolle në Francë)
Drejtori
Shef i Departamentit të Policisë Politike
Paris, gusht 1932
I përmenduri Prishtina ose Prishtina Hasan Bej, lindur më 27 janar 1879 në Vicitrn (Shqipëri), ish – Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, i cili ishte dëbuar nga territori francez më 22 qershor 1931 ngaqë i mungonte viza e qëndrimit, është autorizuar që të qëndrojë në Francë me shënim të ministrit të Punëve të Jashtme. Ai banon Boulevard de Monteparnasse nr. 135. Jeton vetëm. Gruaja i ka vdekur në vitin 1931.
Vjenë, 15 qershor 1931
Zonja Hasan Prishtina pas 14 ditësh u nis për në Paris për t’u bashkuar me burrin. Por tani informohemi që ka vdekur më mënyrë të befasishme.
/Përgatiti për botim: Bejtullah Destani: Nga italishtja Rando Devole./Veriu.info/.