Yzedin Hima
Milan Kundera, një nga romancierët e famshëm bashkëkohorë, shkruan se dalja e pjesës së parë të romanit “Don Kishoti i Mançës” të Migel Seravantesit u prit me entuziazëm nga lexuesit spanjollë. Çudia më e madhe ndodhi se, pak kohë pas daljes së pjesës së parë të romanit, në një krahinë të Spanjës u shfaq e botuar pjesa e dytë e romanit, fakt që e hidhëroi Servantesin, i cili denoncoi falsifikatorët, të cilët, për çudi, kishin ruajtur mjaftë mirë frymën e romanit dhe karakterin e personazheve.
Në një bisedë me nxënësit e gjimnazit me temë “Don Kishot apo Sanço Pançë?!”, rezultoi se shumica dërrmuese e nxënësve preferonin të ishin Sanço, disa preferuan të qëndronin midis Don Kishotit dhe Sanço Pançës, pak, shumë pak, as sa gishtat e njërës dorë preferuan të ishin Don Kishotë.
Sanço Pança, me pragmatizmin e tij, cektësinë mendore, mendjen tmerrësisht të kthjellët dhe barbarisht konkrete, me ç’duket, është më pranë mendësisë bashkëkohore shqiptare. Kur u pyetën gjimnazistët se pse pikërisht zgjodhën Sanço Pançën, u përgjigjën se kishin pothuajse të njëjtat interesa me Sançon: të pasuroheshin sa më shpejt, mundësisht me ndonjë dhuratë të vyer si pronë e paluajtshme nga ndonjë i afërm (natyrisht nuk shkonin deri te ishulli, që pretendonte të fitonte Sanço), preferonin aventura e shëtitje nëpër botë sikurse Sançoja, mendonin si Sanço Pança për të patur një vakt të mirë me tryezën plot, për vete dhe domosdo për macen a qenin, sikurse Sançoja për gomarin e tij, pretendonin një gjumë të qetë, të thellë, pa ëndrra sikurse Sançoja, që nuk shikonte kurrë ëndrra natën dhe as që bëhej fjalë për të ëndërruar ditën sikurse zotnia Don Kishot, i urrenin librat krejt si Sançoja dhe mendonin se Sançoja qe krijesë e natyrës, i padeformuar nga ndërhyrjet shformuese të librave, mësuesve dhe profesorëve, që në shumicën e rasteve projektojnë te tjetri, te nxënësit veten e tyre, prej kohësh të deformuar, madje dhe me deformimet shnatyruese të qytetërimit që nga zanafilla e tij.
Don Kishotin e shikonin si një njeri thjesht të marrë, marrosur nga librat e leximet e shumta, nga arsimimi, nga ëndrrat që i shikonte natën dhe ditën në dritë të diellit. E urrenin sidomos idealizmin e tij për ta ndryshuar botën dhe për ta bërë më të mirë dhe më të jetueshme. Shkriheshin gazit me mjetet e tij qesharake dhe nuk ndjenin fare keqardhje për pësimet e Kishotit të mjerë. Imagjinata e ndezur e Don Kishotit i bënte për të qeshur. Përpjekjen e Don Kishotit për të vendosur ca rregull nëpër botë, për të ndihmuar të pamundurit dhe për të ndëshkuar të fortët dhe dhunuesit, e shikonin si kundërvënie ndaj rregullsive të natyrës, kundërvënie ndaj seleksionit natyral, seleksion i vjetër sa bota. Don Kishotin e shihnin si njeri të kohës që perëndoi, mesjetës.
Ndërkohë që i mallëngjente vështrimi dhe qëndrimi realist i Sanço Pançës, qortimet që i bënte Don Kishotit ky i fundit, sidomos pëlqenin fort pragmatizmin e tij tejet frymëzues për kohën e sotme. Ata që qëndronin midis Don Kishotit dhe Sanço Pançës, natyrisht, sollën argumentet e tyre, përgjithësisht konformiste, më afër ideve që përkufizoheshin në tekstet mësimore: nuk mund të jemi don kishotë, sepse ai donte të kthente pas rrotën e historisë. Po nuk mund të jemi as pragmatistë si Sanço Pança, sepse ky pragmatizëm të çon në fillimet e rendit kapitalist në Evropën e shekullit XVII-të. Vlerësojmë fisnikërinë e Don Kishotit, por më tepër vështrimin realist të Sanço Pançës.
Më interesant qe arsyetimi i pakicës: ndihem Don Kishot, sepse sikurse ai, mendoj se bota është e papërsosur. Ëndërroj për një botë më të mirë, ku padrejtësia dhe dhuna duhet ndëshkuar, ku i dobëti dhe i pamunduri duhen ndihmuar me të gjitha format dhe mjetet, qofshin ato edhe primitive. Kur shfaqen mullinjtë e erës, kurrsesi nuk shikoj si Sanço Pança vetëm mullinjtë e erës, por shikoj herë viganë, herë aeroplanë, herë mullinj ere.
Mos o Zot, të mbetesha te shikimi i thatë, realist, semplist, pa fantazi, pa krahasim, pa metaforë e për rrjedhojë aspak poetik i Sanço Pançës! Sikur të gjithë të shikonin me sytë e tij, poetët nuk do të ekzistonin dhe poezia do të kishte vdekur. Njerëzit do të ishin robër të realitetit, robër të sendeve. Do ta konsideroja veten të sëmurë, sikur të mos shihja ëndrra si Sanço Pança. Bota u bë dhe do të përsoset pikërisht nga ëndërrimtarët. Ju qeshni me armët e Don Kishotit, me të cilat ai do të bënte më të lirë dhe më të drejtë botën. Ju jeni dakord me Don Kishotin se bota përherë ka qenë e papërsosur dhe lipset të ndreqet, të bëhet më e mirë. Po ju vetë, që dispononi “armë” tejet moderne, pse nuk ngriheni dhe ta ndryshoni botën? Sepse ju kujdeseni thjesht për të ndryshuar botën tuaj të vogël, brenda gardhit të shtëpisë suaj. Nuk e bëni sepse nuk jeni fisnikë e shpirtmëdhenj si Don Kishoti, por jeni shpirtvegjël, mendjengushtë e pragmatistë si Sanço Pança. Ju qeshni me Don Kishotin, ndërsa unë trishtohem e vuaj si ai. Ai vetëm armët i kishte të Mesjetës, ndërsa fisnikërinë, humanizmin i kishte të Rilindjes.
Pragmatizmi i Sanços është banal: të mendosh vetëm për vete dhe për gomarin, dukuri që ndeshet rëndom në vendin tonë në këtë fillimshekulli, pragmatizëm po aq vulgar sa në Evropën e shekullit të shtatëmbëdhjetë. Sanço Pança do të shfaqet sërish gjatë shekujve që vijnë: herë si Harpagon, herë si Gobsek, herë si plaku Grande. Me pragmatizmin dhe mendjengushtësinë e tij, i krimbur në flori. Sot në rrugët tona takon plot Sanço Pançë, në institucione, në bisnese, në parti, qeveri e në parlament.
Sanço Pança i sotëm ka fytyrën e kapitalistit në fillimet e rendit: pragmatist, individualist, i pashpirt, pa fantazi e fisnikëri.
Kush tha se Don Kishoti është njeriu i Mesjetës?! Ai është po aq tragjik sa Hamleti. Të dy donin të ndryshonin botën, ta bënin më të mirë, më njerëzore, më të drejtë. Hamleti nga lartësia e njeriut të shekujve që do të vinin, ndërsa Don Kishoti nga ultësirat e kohëve që kishin perënduar. Hamleti me mendjen e tij brilante, ndërsa Don Kishoti me fantazinë e tij të çartur, por turbulluese, me armët e tij primitive. Don Kishoti është një Hamlet i lindur mjaft vonë, sikurse Hamleti është një Don Kishot i lindur tepër herët./Telegrafi/.